Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić Radman i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të angazhohet më shumë politikisht dhe strategjikisht në Ballkanin Perëndimor.
Para debatit të Këshillit të BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, ai vuri në dukje se investimi në rajonin që është “më i afërti me BE-në” është në të njëjtën kohë investim në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.
“Partnerët tanë në rajon duhet të punojnë në transformimin demokratik, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ky është çelësi për rrugën e tyre në BE”, tha Radman.
Ai bëri thirrje për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Mali i Zi duhet të mbetet i përkushtuar në rrugën e BE-së dhe Serbia duhet të përqendrohet në reformat dhe kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës”, tha Grlić Radman.