Ministri Mete në takimet vjetore të BB dhe FMN: Vlerësohen reformat, përshpejtimi i tyre

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, kryesoi delegacionin shqiptar në takimet Vjetore të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në datat 12-15 tetor 2023, në Marrakesh, Marok.

Ai zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, me Zv/presidenten e Bankës Botërore Antonella Bassani, Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, Matteo Bugamelli, Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN Alfred Kammer, Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Federico Giammusso, Zëvendësdrejtorin e Departamentit të Çështjeve Fiskale në FMN, Juan Toro Riviera, si edhe Alfonso Garcia Mora, Zv/president i IFC për Europën, Amerikën Latine dhe Karaibet.

Fokus i diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit ekonomike, sfidat për të ardhmen. Një temë e rëndësishme ishte dhe statusi i reformave strukturore dhe fushat e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Në takimin që Mete zhvilloi me Zv/presidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin e Azisë Qendrore, Antonella Bassani ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë.

Bassani vlerësoi zhvillimet e fundit pozitive të ekonomisë shqiptare përballë sfidave që po kalon ekonomia globale dhe theksoi nevojën për vazhdimësinë e reformave strukturore për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike dhe për të përmirësuar treguesit socialë.

Një pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte rritja e përpjekjeve për përshpejtimin e implementimit të projekteve të dakordësuara për të rritur impaktin e tyre në ekonomi. Ndër të tjera u theksua dhe thellimi i bashkëpunimit në fusha me prioritet si turizmi, ekonomia e gjelbër dhe digjitalizimi.

Në takimin me Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, Mete rikonfirmoi vazhdimin e reformave në kuadër të konsolidimit fiskal dhe angazhimin për përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave. Nga ana e tij, Kammer vlerësoi përpjekjet për përmirësimin e parametrave fiskalë dhe makroekonomikë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për forcimin e menaxhimit të financave publike dhe zgjerimin e bazës së të ardhurave.

Në takimin me Zv/presidentin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) Alfonso Garcia Mora temat e diskutimit ishin bashkëpunimi në drejtim të zhvillimit të sektorit privat, duke adoptuar iniciativa të reja inovative për lehtësimin e kreditimit të ekonomisë.

Gjithashtu, Ministri i Financave dhe Ekonomisë mori pjesë në seancën plenare të Takimeve Vjetore të BB dhe FMN, ku u trajtuan çështje me rëndësi sa i përket zhvillimeve dhe sfidave të ekonomisë globale.

Share This Article