Ministria e Jashtme njoftim të rëndësishëm: Ndryshon procedura për lëvizjen në Shengen

albnews
By
2 Min Read

Duke nisur nga kjo e enjte, 10 prill 2026, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Schengen Area do të përballen me procedura të reja në kufi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se hyn në funksion të plotë Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (EES), një mekanizëm i ri elektronik i Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit zyrtar, sistemi EES zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve për shtetasit nga vendet jo-anëtare të BE-së. Ky sistem ishte në zbatim të pjesshëm që prej tetorit 2025, ndërsa tashmë do të aplikohet plotësisht në 29 vendet e zonës Schengen.

Autoritetet bëjnë me dije se sistemi do të vlejë për udhëtime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa ndryshuar rregullin ekzistues të qëndrimit.

Në hyrjen e parë pas 10 prillit, qytetarëve shqiptarë do t’u regjistrohen të dhënat e pasaportës, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Refuzimi për të dhënë këto të dhëna biometrike do të sjellë automatikisht refuzimin e hyrjes në territorin Schengen.

Ministria paralajmëron se në fazën fillestare të zbatimit mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të paraqiten më herët për udhëtim dhe të sigurohen që pasaportat e tyre janë të vlefshme dhe në gjendje të mirë fizike.

Ndërkohë, theksohet se nuk kërkohet aplikim paraprak për sistemin EES, pasi regjistrimi kryhet në momentin e kalimit kufitar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje qytetarëve të informohen paraprakisht mbi procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë për kontrollet kufitare.

Share This Article