Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet Prokurorisë Themelore të Gjilanit ka paraqitur kallëzim kundër Srgjan Gjorgjeviç me banim në Artanë (Novobërdë) dhe kundër kompanisë “KOTO” nga Serbia, konkretisht Beogradi, e kontraktuar për realizimin e punimeve në projektin e revitalizimit të Kalasë së Artanës.
Kallëzimi penal ndaj të sipërpërmendurve është bërë, sepse ekziston dyshimi i bazuar, se të dyshuarit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, ku Srgjan Gjorgjeviç duke vepruar në emër të kompanisë “Koto” në cilësinë e mbikëqyrësit të Projektit për revitalizimin e Kalasë së Artanës (Novobërdës), ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, kurse kompania “Koto” mban përgjegjësi për veprën penale në cilësinë e personit juridik.
Siç njofton MKRS, kallëzimi penal ndaj të dyshuarve është me arsyetimin se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pas marrjes së njoftimit lidhur me dëmtimet në Kalanë e Artanës më datë 5 shtator 2019, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas takimit me mbikqyrësin e kompanisë “Koto” (tani të dyshuarin) e cila po kryen punimet për revitalizimin e Kalasë, ka konstatuar dëmet që i janë shkaktuar mureve të jashtme të Kalasë, si plasaritje të thella të tyre dhe eventualisht ekziston edhe rreziku i shembjes së tërësishme. Ky veprim është paraparë si vepër penale sipas ligjit dhe me të drejtë MKRS-ja ka nisur procedurat para vënies para drejtësisë dëmtuesit e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Projekti i revitalizimit të Kalasë së Artanës financohet nga UNESCO dhe kompania fituese ka qenë e obliguar që t’i kryej punimet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Më datë 2 shtator 2019 duke mos përfillur obligimet për të njoftuar organin mbikëqyrës e cila është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, e ka angazhuar një eskavator dhe ka filluar që t’i rrënojë muret rrethuese të Kalasë. Me këto veprime të cilat janë në kundërshtim edhe me standardet e ndërhyrjeve konservuese-restauruese në objekte të trashëgimisë kulturore, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme këtij aseti të trashëgimisë tonë kulturore. “Pasi që në veprimet e të dyshuarit të përshkruar më lartë qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, si MKRS i kemi propozuar Prokurorit të Shtetit, që ndaj të dyshuarin të ngrisë Aktakuzë në Gjykatën kompetente me propozim që të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.