Ministrja për Evropë e Austrisë, Karoline Edtstadler ka reaguar sot pasi Komisioni Evropian rekomandoi për Ukrainën statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk duhet të përdoren standarde të dyfishta, derisa kërkoi që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.
Edtstadler ditë më parë ishte takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ndërkaq sot në një postim në Twitter shkruan se mbajtja e premtimeve është një çështje sigurie për Evropën dhe një çështje e besueshmërisë së Bashkimit Evropian.
“Sot, Komisioni Evropian prezantoi opinionin e tij për aplikimin për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Këto tani duhet të analizohen në detaje gjatë ditëve në vijim.
Është e qartë se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta në procesin e anëtarësimit. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor në veçanti, mbajtja e premtimeve tona është një çështje sigurie për Evropën dhe një çështje e besueshmërisë së Bashkimit Evropian.
Kjo kërkon statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan ajo.
Ndryshe, më 25 maj ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë një vizite në Austri kishte takuar ministren austriake për Evropë dhe Kushtetutë, Karoline Edtstadler. /Telegrafi/