Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Brendshme të Britanisë së Madhe, Suella Braverman ka zhvilluar një telefonatë me ministrin e Brendshëm Taulant Balla, ku është rënë dakord intensifikimi i marrëdhënieve në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përmes një postimi në Twitter, Braverman shkruan se me Ballën ka diskutuar çështjet që shqetësojnë dy vendet, veçanërisht emigracioni, korrupsioni dhe krimi i organizuar.
“Ne ramë dakord të intensifikojmë marrëdhëniet tona të ngushta të punës për të arritur qëllimet tona të përbashkëta, duke përfshirë trajtimin e migracionit të paligjshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Braverman.
Braverman ka përgëzuar Ballën për detyrën e re në krye të ministrisë së Brendshme.
Ndërkaq, më 19 korrik qeveria miratoi marrëveshjen zbatuese për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar.
Sipas marrëveshjes transferimi i të burgosurve do të bëhet me grupe në varësi dhe të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe kapacitetet në burgje.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shpjegoi sot detajet mbi marrëveshjen për transferimin e të burgosurve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
“Baza e kësaj marrëveshjeje janë parimet e humanizmit të ri integrimit dhe risocializimit të të dënuarve shqiptarë në shoqërinë shqiptare.
Kjo marrëveshje pason marrëveshjen e vitit 2021 që është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë, po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ministri Manja përmes një video-mesazhi.