Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar Qendrën e re Shëndetësore në Thumanë e rindërtuar nga qeveria shqiptare në kuadër të Projektit të Rindërtimit pas dëmeve të shkaktuara tërmeti i vitit 2019.
Ministrja Koçiu shprehet në një postim në rrjetet sociale se kjo Qendër Shëndetësore është pjesë e një kompleksi të ri shërbimesh me të gjithë infrastrukturën e nevojshme komunitare, ndërsa janë ngritur edhe mjedise sportive.
Koçiu zhvilloi një bashkëbisedim me mjekët dhe infermierët të cilët tashmë ofrojnë shërbime ambulatore të kujdesit parësor me të gjitha kushte dhe standarde bashkëkohore për rreth 17 mijë banorë të zonës së Thumanës.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “po punojmë që këtë objekt shëndetësor ta shndërrojmë edhe në një qendër të specializuar për traumat sportive për fëmijët dhe të rinjtë”.
“Në Qendrën Shëndetësore Thumanë në të cilën ndodhet edhe Konsultori i Gruas dhe i Fëmijës, stafi mjekësor po vijon vaksinimin e fëmijëve sipas Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit, vaksinimi kundër gripit dhe COVID, vaksinimi i HPV-së për vajzat 14-20 vjeç, por edhe shërbime në banesë për moshat e treta”, shprehet Koçiu.
MSHMS vijon investimet me buxhetin e vitit 2024 për rikonstruksionin e 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave për të ofruar shërbim shëndetësor me dinjitet dhe cilësi pranë vendbanimit.