Kombëtarja shqiptare e futbollit mbylli, këtë të hënë, përgatitjet në Durrës në kuadër të miqësores me Katarin. Skuadra e drejtuar nga Edi Reja zhvilloi një seancë të plotë ku italiani pati mundësi të provojë formacionin e ndeshjes, si edhe vendosje të ndryshme taktike në fushë.
Grupi është i plotë dhe për fatin e mirë nuk ka pasur probleme fizike për lojtarët e grumbulluar.
Njësoj si ndeshja me Arabinë Saudite edhe miqësorja me Katarin do të jetë një test i mirë për djemtë e Superiores, pasi është momenti të tregojnë cilësitë dhe potencialin e tyre. Jo më kot, tekniku italian ka thirrur të gjithë më të mirët e Superligës pasi në 24 lojtar, 22 janë nga kampionati vendas dhe vetëm 2 prej tyre luajnë jashtë vendit, gardiani i portës Arlis Shala dhe sulmuesi Kristal Abazaj.
Pasi qëndruan 3 ditë në Durrës, kuqezinjtë u nisën sot drejt Spanjës ku sipas programit do të zhvillojnë dhe seancën e fundit stërvitore. Miqësorja Shqipëri- Katar do të luhet në orën 18:30 në Marbej Stadium në Spanjë.
Kjo do të jetë përballja e tretë në histori mes Shqipërisë dhe Katarit, që të gjitha në ndeshje miqësore. Katari është dueli i parë për kuqezinjtë në muajin nëntor, teksa me datë 16 nëntor kombëtarja do të luajë me Italinë dhe më 19 nëntor do të sfidojë Armeninë, të gjitha sfida miqësore.