Kolegji i Komisionit Evropian miratoi të mërkurën metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në BE, qëllim i së cilës është rivendosja e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.
Në konferencën për gazetarë në Bruksel, Varhelyi tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta miratojnë metodologjinë e re para Samitit BE-Ballkani Perëndimor – që do të mbahet në muajin maj në Zagreb – dhe paralelisht me fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, raporton REL.
Varhelyi tha se metodologjia e re bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.
“Këto janë parimet me të cilat duam të sigurojmë se procesi do të jetë më i besueshëm, më dinamik dhe i udhëhequr më shumë nga politika”, tha Varhelyi.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni ka propozuar “plan të besueshëm dhe dinamik, i cili ia hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Lajm i mirë për miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së”, shkroi von der Layen në Twitter.
Sipas dokumentit të cilin e ka parë Koha Ditore, një nga ndryshimet që shihet është se procesi do të bëhet me kushte më lehtë të matshme, që në proces më shumë të përfshihen shtetet anëtare, por edhe të marrin më shumë përgjegjësi. Tjetri element është bashkimi i disa nga 35 kapitujt në grupe dhe që të hapen të gjithë kapitujt e një grupi në të njëjtën kohë.
Po ashtu, kapitujt do të mund të rihapen, ndërsa i tërë procesi edhe të pezullohet nëse vlerësohet se nuk ka pasur përparim apo kur ndonjë shtet kandidat bën ecje prapa. Parashihet edhe mundësia e pezullimit të fondeve të BE-së, me përjashtim të atyre që janë të dedikuara për shoqërinë civile, për ato shtete që shënojnë keqësim të situatës në fusha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.