I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të udhëtojë këtë të mërkurë (5 korrik) drejt Beogradit ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Takimi mes dyshes Lajçak-Vuçiç do të mbahet në orën 11:00 në godinën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës, ku gjetja e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd do të jetë në foksus të bisedimeve mes tyre.
Po ashtu, gjatë vizitës së tij në Serbi, Lajçak do të takohet edhe me Kryeministren Ana Brnabiç.
Një ditë më parë, Lajçak u takua në Kosovë me Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryeministrin Albin Kurti, ku u parashtroi 3 pika e paraqitura nga BE për normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Tre pikat kanë të bëjnë me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, zgjedhjet e reja dhe kthimin në normalitet midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Kishim diskutim të gjatë e të sinqertë dhe shumë të rëndësishëm.
Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim”, ka deklaruar Lajçak për mediat pas takimit.