Libri “Misioni im: Letër e hapur shqiptarëve”, i publikuar së fundmi nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tashmë mund të gjendet fare lehtë edhe në gjigandin e blerjev online.
Libri u publikua më 22 mars, ndërsa vetë Basha do të shprehej se, ai nuk është një autobiografi, por një letër e hapur ndaj të gjithë shqiptareve.
“Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve.
Në të janë qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presiont politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë ta bëjnë.
Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes sonë kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuesit e vyer në rajon dhe në Europë“, është shpjegimi që lexohet në faqen e Amazon.