Albania
Misioni special në Jugosllavi i ‘kolonelit të ushtrisë së vdekur, Hysni Dajës
Publikohet për herë të parë historia e rrallë të Hysni Dajës, ish–ushtarak i lartë me gradën e kolonelit që ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, i cili tregon se si në vitin 1975, si ish-partizan i Brigadës së VII-të Sulmuese të formuar në fshatin Vlushë të Skraparit në vitin 1943, u caktua nga qeveria shqiptare dhe udhëhoqi një mision special në Jugosllavi. Memorie.al shkruan se në këtë mision u gjetën eshtrat e 300 ish-partizanëve shqiptarë të vrarë në 1945-ën në tokat e Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë. Si i priti pala jugosllave delegacionin nga Shqipëria dhe organet e pushtetit vendor ku ata bënë kërkime për gjetjen e varreve, si i ndihmonin ata dhe përse pak kohë pasi i kishin gjetur eshtrat e 300 partizanëve, bashkëluftëtarë të tyre, iu erdhi urdhri që të niseshin urgjent në Shqipëri, pa i lënë të merrnin pjesë në ceremoninë e rastit që do organizohej në Podgoricë…?!
Atë fillim dimri të acartë të 1945-s, partizani Hysni Daja nga fshati Sevran i Skraparit efektiv I Brigadës së VII-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, kurrë nuk i kishte shkuar nëpër mend se ato shënime dhe ditare të shkruara pas betejave aty në rrëpirat e akullta mes maleve të Vishegradit në Bosnjë, do t’i shërbenin një ditë jo vetëm për statistika historike, por edhe për një gjë tjetër shumë më fisnike: atë të gjetjes së eshtrave të shokëve të rënë aty në dhe të huaj. Këtë gjë koloneli në pension Hysni Daja, autor i disa librave me kujtime nga “Lufta Nacionalçlirimtare”, e ka menduar vetëm atë fillim shtatori të vitit 1975, teksa së bashku me disa shokë të tjerë ngjitnin me nxitim shkallët e një avioni në aeroportin e Rinasit, për të fluturuar në drejtim të Jugosllavisë, ku prej 30 vitesh nën tokën e saj preheshin më se 300 nga trupat e bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe pse në një moshë të thyer, ai nuk e kishte aspak të vështirë që të sillte në kujtesë atë ngjarje të largët, në intervistën e tij ekskluzivisht për Memorie.al.
-Zoti Hysni, sa ka qenë numri i partizanëve shqiptarë të vrarë në tokat e ish-Jugosllavisë?
Numri i partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi nga dhjetori i vitit 1944 e deri në 14 shkurtin e vitit 1945, ditë në të cilën u çlirua qyteti i Vishegradit, llogaritej në rreth 700 veta. Kjo shifër ishte për të dy divizionet tona, të V-të dhe të VI-të, të cilët nën komandën e Gjin Markut dhe Rrahman Parllakut, luftuan atje në ndjekje të forcave gjermane që tërhiqeshin drejt Berlinit. Pjesa më e madhe e atyre 700 partizanëve të vrarë në Jugosllavi kishin rënë në luftimet kundër gjermanëve dhe vetëm pak prej tyre kishin vdekur nga sëmundjet e ndryshme.
-Kur filloi për herë të parë shteti shqiptar që të interesohej për trupat e partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi?
Që me mbarimin e Luftës filloi menjëherë interesimi për gjetjen e trupave të partizanëve shqiptarë që ishin vrarë në territoret e Jugosllavisë. Pasi ishin bërë marrëveshjet përkatëse në mes dy shteteve, në viti 1946, shteti shqiptar dërgoi një komision të posaçëm në Mal të Zi dhe në Bosnjë. Nga kërkimet e bëra në atë kohë, me sa di unë, u bë e mundur gjetja e rreth 380 trupave të partizanëve shqiptarë, të cilët u sollën menjëherë në Shqipëri dhe u varrosën me ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe në rrethet e tjera nga ishin ata.
-Po pas sjelljes së 380 trupave të parë në vitin 1946 në Shqipëri, a vazhduan kërkimet për pjesën tjetër që nuk ishte gjetur ende?
Pas vitit 1946, kërkimet nuk vazhduan më dhe, ndonëse shteti ynë ishte i interesuar për gjetjen e trupave të tjerë që kishin mbetur atje, ajo gjë u vështirësua së tepërmi prej prishjes së marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Por edhe pas vitit 1949, me sa di unë, nga ana e shtetit tonë ka pasur kërkesa të vazhdueshme, por pala jugosllave nuk u tregua më e gatshme, ashtu si në vitin 1946, duke nxjerrë pretendime të ndryshme.
-Konkretisht, çfarë pretendimesh nxirrnin jugosllavët?
Thonin se nuk kishte më trupa të partizanëve shqiptarë në tokat e tyre dhe ata që kishin qenë, gjoja ne i kishim gjetur dhe i kishim marrë të gjithë që në 1946-ën.
-Kur u bë e mundur gjetja e trupave të tjerë të ish-partizanëve shqiptarë të mbetur në Jugosllavi?
Në vitin 1975 shteti jugosllav ra dakord dhe u tregua i gatshëm që qeveria shqiptare të dërgonte një komision të posaçëm në Beograd, me qëllim që të saktësohej ky problem i pambyllur mirë dhe të bëhej e mundur gjetja e trupave të ish-partizanëve tanë që ndodheshin në disa republika të federatës së tyre. Pas kësaj qeveria jonë dërgoi në Jugosllavi një komision prej 15 vetash, në përbërje të të cilit isha dhe unë.
-Përveç jush, kush merrte pjesë tjetër në atë komision dhe çfarë përfaqësonin ata?
Bashkë me mua në përbërje të atij komisioni ishin edhe Maman Saliu, Zagoll Skëndo, Rakip Peza, Shaban Rexha etj., të cilët kishin qenë partizanë dhe kuadro të lartë ushtarakë me përgjegjësi që gjatë Luftës e më pas. Ndërsa gjysma e komisionit përbëhej nga këta ish-partizanë e kuadro ushtarakë të njohur, pjesa tjetër ishin të Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Komunales.
-Ju personalisht, kush ju zgjodhi në përbërje të atij komisioni dhe për çfarë arsyesh u piketuat pikërisht ju?
Mua më propozoi anëtari i Byrosë Politike, shoku Adil Çarçani, i cili më njihte mirë që nga koha e Luftës, pasi ai kishte qenë zv/komisar i Brigadës së Shtatë. Po kështu, në të njëjtën kohë, propozimi për të qenë unë në atë komision ishte bërë edhe nga gjenerali i njohur, Ndreko Rino, ish-komandant i Brigadës së Parë. Këta të dy ishin ata që më propozuan mua për në atë komision dhe arsyeja kryesore se përse duhej të isha pikërisht unë atje, ishte fare e thjeshtë. Unë isha një nga ata ish-partizanë që kisha mbajtur ditarë e shënime që gjatë luftës dhe më pas kisha shkruar shumë artikuj të ndryshëm në revista e gazeta, si dhe libra me kujtime e analiza shkencore nga historia e luftës partizane.
-Cili ua dha instruksionet e rastit për atë punë që do të bënte atje komisioni juaj?
Për përgatitjen e komisionit tonë prej 15 vetash u deshën disa muaj dhe ne na thirrën në disa mbledhje përgatitore, duke na dhënë instruksionet e rastit. Në fillim ne morëm instruksione nga Komiteti i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, më pas nga Ministria e Komunales dhe në fund nga Ministria e Punëve të Brendshme.
-Para se të niseshit nga Tirana, a patët takime me familjarë dhe të afërm të ish-partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi?
Patëm disa takime, por jo të organizuara zyrtarisht nga shteti. Pak ditë para nisjes, familjarë e të afërm të ish-partizanëve dhe bashkëluftëtarëve tanë të rënë në Jugosllavi, na takonin dhe na jepnin ndonjë të dhënë apo shpjegim për njerëzit e tyre që preheshin atje, duke na u lutur që t’i gjenim eshtrat e tyre. Ne i mbanim ato shënim dhe u premtonim se do të bënim të pamundurën për gjetjen e tyre.
-Kur u nisët për në Jugosllavi dhe çfarë pritjeje ju bënë atje?
Pas gjithë këtyre instruksioneve që thashë, më 9 shtator të vitit 1975 delegacioni ynë u nis me avion për në Jugosllavi dhe në Beograd na pritën përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, të cilët ishin të ngarkuar me punë për çështjet shqiptare. Pas një qëndrimi prej katër-pesë ditësh në Beograd, ne u shpërndamë nëpër republika të ndryshme të Jugosllavisë, duke u ndarë në disa grupe të vogla prej dy-tre vetash.
-Në cilat republika të Jugosllavisë do të bëheshin kërkimet për gjetjen e eshtrave dhe ku u caktuat ju?
Kërkimet do të bëheshin në Bosnjë, në Malin e Zi, në Kosovë, në Serbi dhe në Maqedoni. Në të gjitha këto republika apo krahina autonome ne kishim lënë të vrarë apo të vdekur gjatë Luftës. Unë u caktova për të shkuar në Bosnjë, pasi aty ishte detyra më e vështirë. Kjo për arsyen se Sarajeva thoshte se aty nuk kishte më varre të ish-partizanëve shqiptarë. Bashkë me mua për në Sarajevë u caktua dhe një përfaqësues i Ministrisë sonë të Komunales, që quhej Haxhi.
-Si ju pritën në Sarajevë?
Në Sarajevë na pritën shumë mirë dhe ata kishin bërë një punë paraprake për pritjen e delegacionit tonë. Për të na pritur ne ishte caktuar një ish-partizan i vjetër kroat, i quajtur Perjo Divjak, i cili mburrej se kishte qenë në luftë përkrah Titos. Takimin e parë ne e bëmë në Bashkinë e Vishegradit, ku kryetari i saj na priti shumë mirë dhe midis të tjerash na tha: “Populli boshnjak e njeh luftën që kanë bërë partizanët shqiptarë të Divizionit të VI-të, të cilët kanë luftuar me heroizëm kundër forcave gjermane në Driçko, Zanoshnje etj., duke lënë edhe shumë të vrarë”. Pas takimeve të rastit me autoritetet lokale, ne filluam kërkimet për gjetjen e eshtrave të bashkëluftëtarëve tanë.
-Ku i bëtë kërkimet e para dhe si proceduat fillimisht?
Në rrethinat e Vishegradit, në ato vende ku kishim zhvilluar dhe luftimet më të përgjakshme, si në Driçko, Zanoshnje, Urën e Mehmet Pashait etj. Fillimisht ne bënim piketimet duke shkuar në vendet ku gjendeshin varret e shokëve tanë dhe më pas aty vinin punëtorët e komunales që kishte caktuar pala jugosllave, të cilët bënin dhe gërmimet për nxjerrjen e eshtrave. Ditën e parë, të dytë dhe të tretë të kërkimeve tona, mua më shoqëroi përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, i ngarkuar me çështjet shqiptare, i cili quhej Slatinec. Pas tre ditësh ai u largua, duke na thënë: “Unë po iki, por ju vazhdoni punën, se unë u binda që këtu ka akoma partizanë shqiptarë të vrarë”. Pas ikjes së tij, unë vazhdova kërkimet bashkë me disa shokë të tjerë ish-bashkëluftëtarë të mi, si Rustem Hazizi, Rakip Xhezo e Kalo Seferi, të cilët erdhën ato ditë nga Shqipëria.
-Kush i dërgoi ata?
Sipas rregullave që ishin paravendosur që në Tiranë për komisionin tonë, unë si kryetar grupi kisha të drejtë të bëja kërkesë për ardhjen aty edhe të personave të tjerë që kishin dijeni për vendndodhjen e varreve të partizanëve tanë, por çdonjeri prej tyre nuk mund të rrinte aty më shumë se 20 ditë. Kështu, ata dhe disa të tjerë erdhën aty me kërkesën time.
-Si ju pritën banorët vendas dhe a u treguan ata të gatshëm për t’ju ndihmuar në misionin tuaj?
Banorët vendas na pritën shumë mirë kudo ku shkuam dhe ata na thoshin se ishin shumë mirënjohës për luftën që kishim bërë ne atje. Gjatë gjithë kërkimeve tona neve na shoqëronte një shofer boshnjak nga Driçko që quhej Asim, i cili na çoi edhe në shtëpinë e tij, pas porosisë që i kishte dhënë e ëma. Kur shkuam atje, nëna e tij plakë na tregoi se në një vend diku jo larg shtëpisë së tyre, në vitin 1945 kishte varrosur kokën e një partizani shqiptar. Ne shkuam atje të shoqëruar nga Asimi dhe e gjetëm vërtet kafkën e partizanit shqiptar, të cilin e identifikuam se cili ishte në bazë të shënimeve që kishim me vete. Kur shkuam në Zanoshnje, në një vend që quhej Qafë, gjetëm dy varre partizanësh shqiptarë bosh. Kur pyetëm, një boshnjak që quhej Ibrahim, na tha: “Këtyre u takon të kenë dy varre, një këtu dhe një në Shqipëri”. Pra, edhe pse trupat e tyre ishin marrë dhe sjellë në Shqipëri që në vitin 1946, varret e tyre nuk ishin prishur dhe ruheshin akoma nga boshnjakët njëlloj si varret e tjera të partizanëve vendas. Po kështu, në Vishegrad një plakë me emrin Borka kujdesej vazhdimisht për tre varre të partizanëve shqiptarë, duke vënë aty tufa me lule.
-Sa vazhdoi misioni juaj dhe sa trupa të partizanëve shqiptarë gjetët në Jugosllavi?
Misioni ynë vazhdoi për 90 ditë dhe gjatë asaj kohe unë si kryetar grupi për Bosnjën, gjeta 30 varre me eshtrat e shokëve tanë që kishin rënë dëshmorë atje në dhe të huaj. Unë i kam të gjitha listat me emrat e tyre dhe më kujtohet Sado Zeneli nga Gjirokastra, apo Hysen Zenel Nurka nga Sevrani i Skraparit e plot të tjerë me radhë. Në përfundim të misionit tonë në Bosnjë, në qytetin e Sarajevës u organizua një ceremoni përkujtimore para 30 arkivoleve me eshtrat e shokëve tanë, ku folëm e përshëndetëm edhe ne, edhe pala boshnjake. Në fund të përshëndetjes sime, unë thashë: “Ne morëm eshtrat e vëllezërve tanë dhe lamë këtu në tokën fqinje gjakun e tyre që nuk bëhet ujë”.
-Sa ishte gjithsej numri i partizanëve të vrarë që u gjetën në atë kohë në të gjitha republikat jugosllave ku bëri kërkime misioni juaj?
Shkoi në rreth 300 veta. Pasi u gjetën eshtrat e tyre dhe u futën nëpër arkivole, ato u dërguan në Shtëpinë Qendrore të Armatës Jugosllave në qytetin e Podgoricës, e cila ishte caktuar për grumbullimin e eshtrave që do të gjendeshin në Bosnjë dhe Mal të Zi. Edhe pse ne i gjetëm eshtrat e rreth 300 shokëve tanë të rënë dëshmorë në Jugosllavi, nuk patëm fatin të ishim të pranishëm në ceremoninë e kthimit të tyre në Shqipëri, pasi nga Tirana na njoftuan të ktheheshim urgjent në Rinas.
-Përse ndodhi kjo gjë?
Nuk e di, por ndoshta ngaqë menduan se ne u familjarizuam shumë me jugosllavët që na shoqëronin kudo. Nuk di çfarë të them më shumë, por jam i bindur se ne na kthyen pas informatave dashakeqe që sillte këtu Sigurimi i Shtetit, njerëzit e të cilit ishin atashuar në misionin tonë.
-Kur u kthyen në Shqipëri eshtrat e 300 partizanëve dhe kush i solli ato?
Arkivolet me eshtrat e 300 partizanëve erdhën në Shqipëri në dhjetor të vitit 1975 dhe ato u sollën nga një komision tjetër, i cili shkoi në Jugosllavi pas kthimit tonë urgjent në Tiranë. Ardhja e tyre u shoqërua me një ceremoni madhështore në sheshin “Skënderbej”, ku 300 arkivolet ishin vendosur në shkallët para Pallatit të Kulturës dhe ku mori pjesë e gjithë Byroja Politike. Pas kësaj ata u përcollën për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë apo dhe në rrethe të tjera.
-A patët falënderime nga familjet kur u kthyet në Tiranë dhe a ju dukej vetja si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?
Patëm shumë falënderime nga familjet e të afërmit të cilëve ne u gjetëm eshtrat e bijve të tyre, por nuk mund të them se na dukej vetja si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi kishte një ndryshim të madh me të. Ne i përkisnim një ushtrie fitimtare./Memorie.al
Albania
Vit sfidues
Opinion Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.
Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në.
Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030.
Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim.
Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.
Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.
Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji.
Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.
Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania8 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania8 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania9 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK8 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota8 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova10 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
