Organizata Miss Universe (MUO) ka ndërprerë lidhjet me ekskluzivitetin e saj indonezian, pasi disa konkurrente pretenduan abuzim seksual disa ditë përpara ceremonisë së kurorëzimit të konkursit në Xhakarta.
Garueset thanë se finalisteve iu kërkua papritur të zhvisheshin për “një kontroll trupi për plagë dhe celulit” dhe disa thanë se ishin fotografuar topless.
MUO me bazë në SHBA tha se ishte e qartë se ekskluziviteti nuk kishte përmbushur standardet, etikën ose pritshmëritë e markës së saj.
Policia e Xhakartës po heton pretendimet. MUO tha gjithashtu se po anulonte konkursin e këtij viti në Malajzi, i cili drejtohet nga e njëjta kompani, PT Capella Swastika Karya.
Organizata Miss Universe falenderoi gratë që paraqitën ankesat, për guximin e tyre dhe përsëriti se “sigurimi i një vendi të sigurt për gratë” ishte prioriteti i saj.
Ajo tha se po vlerësonte politikat dhe procedurat e saj për të shmangur dukuri të ngjashme dhe tha se nuk kishte kërkesa për matje ose dimensione të trupit për t’u bashkuar me konkurset e saj në mbarë botën.
“Në dritën e asaj që kemi mësuar se u zhvillua në Miss Universe Indonesia, është bërë e qartë se ky ekskluzivitet nuk i ka përmbushur standardet, etikën ose pritshmëritë e markës sonë,” postoi MUO të shtunën mbrëma.
Miss Universe, e cila tani është në edicionin e saj të 73-të, është e njohur në Azinë Juglindore, veçanërisht në Indonezi, Filipine dhe Tajlandë, ku fitueset bëhen të famshme dhe influencuese të mediave sociale.