Largimi i anijes turke të kërkimit “Oruç Reis” vendosur nga Ankaraja në një zonë të diskutueshme mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor, e konsideruar e pasur me gaz natyror, është një hap pozitiv për marrëdhëniet greko-turke, theksoi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Bëhet fjalë për hapin e parë pozitiv (…) Shpresoj se do të ketë dhe të tjerë”, deklaroi Kyriakos Mitsotakis në një konferencë shtypi në Selanik.
Misioni i anijes turke, e vendosur që prej 10 gushtit në një zonë detare të diskutueshme nga Athina dhe Ankaraja, që përfundoi sot, nuk u zgjat më nga autoritetet turke, sipas gazetës pro-qeveritare turke “Yeni Safak”.
Sipas kësaj të përditshmeje anija “Oruc Reis” është kthyer në portin e Antalias.
“Vendimi për të mos zgjatur misionin ka ardhur si një etapë për t’i dhënë mundësi diplomacisë”, shkruan gazeta.
Athina është gjithmonë e gatshme të fillojë kontaktet eksploruese me Turqinë”, theksoi Kyriakos Mitsotakis.
Ai nënvizoi se ky hap nga ana e Turqisë ishte rruga e duhur drejt qetësimit të situatës dhe mund të kontribuonte në rifillimin e dialogut mes dy vendeve.