Gjyqtarja e parë femër ndërkombëtare e Shqipërisë, Emanuela Rusta, është shprehur e zhgënjyer që përmendet si një “gjyqtare seksi” në titujt e mediave, duke lënë në hije arritjet dhe profesionalizimin e saj në fushë.
30-vjeçarja bëri histori si gruaja e parë shqiptare që drejtoi futbollin e nivelit të lartë të meshkujve, duke thyer tabu, shkruan “Daily Mail”.
Megjithatë, pavarësisht arritjeve të saj të lavdërueshme, së fundmi asaj iu desh të mbyllte llogarinë e saj në “Instagram” për shkak të mesazheve fyese që kishte marrë. Më herët Rusta ishte mjaft aktive në rrjetet sociale, ku postonte fotografi të ndryshme të saj nga pozat me bikini deri ato në palestër.
Në një intervistë për AFP, Emanuela Rusta kritikoi mediat që janë fokusuar në pamjen e saj dhe jo në aftësitë e saj, duke thënë:
“Ata duhet të fokusohen më shumë në profesionalizmin tim sesa në gjëra të tjera. Arbitri nuk është çështje gjinie, por kompetence”.
“Duhet të luftosh fort që të pranohesh. Për të marrë vendime të mira, duhet të dini rregullat e lojës në mënyrë perfekte, të jeni fizikisht në formë dhe të keni një aftësi të madhe për t’u përqendruar”, shtoi 30-vjeçarja.
Vërejtjet e Rustës vijnë pasi u publikuan titujt, duke përfshirë një që e përshkruante atë si “arbitrja seksi që ngre temperaturën”, duke tërhequr vëmendjen te pamja e saj dhe jo nga aftësitë e saj në gjyqtarë.
Kjo nuk është hera e parë që ajo objektivizohet nga mediat; në një ndeshje të mëparshme të Ligës së Kampionëve, ku ajo shërbeu si gjyqtarja e katërt, u tha se ajo kishte “vjedhur shfaqjen”.
Rusta ka drejtuar tashmë 15 ndeshje të Superligës shqiptare për meshkuj, dy prej të cilave u zhvilluan këtë vit, duke forcuar më tej pozicionin e saj si një figurë e respektuar në futboll. Ajo tani do të gjykojë ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve për femra mes Sporting Lisbonës dhe Real Madridit.