Brenda disa orëve, prej orëve të vona të së premtes e deri në mëngjesin e së shtunës, vetëm në Njësinë Intensive COVID-19, betejën me virusin e kanë humbur 7 nga 21 persona, sa vdiqën në krejt Kosovën për 24 orë. Kjo njësi është pothuajse e mbushur, e SHSKUK-ja po planifikon që edhe një repart të Infektives ta kthejë në njësi intensive, pikërisht për shkak të rasteve në gjendje të rëndë. Mjekët e infermierët ngrenë alarmin për gjendjen e rëndë të të rinjve të pavaksinuar.
Shumë qytetarë shihen çdo ditë rreth orës 13, para Njësisë Intensive Qendrore COVID-19. Një orë kanë në dispozicion familjarët që të marrin informata nga mjekët për gjendjen e të afërmve që ndodhen brenda.
E, mbrëmja e kaluar ka qenë veçanërisht e rëndë për këtë Njësi.
Këtu janë 24 shtretër, e veç prej mesnatës të së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, gati një e treta këtyre pacientëve kanë vdekur. Brenda pak orësh janë zëvendësuar me pacientë të rinj, të cilët po bëhet përpjekje për t’i shpëtuar.
Infermieri i Intensives, Senad Syla, është i angazhuar që prej fillimit të pandemisë te rastet me COVID-19. Ai ka folur për vështirësitë që po e përcjellin atë dhe kolegët e tij gjatë punës.
“Punojmë punë të shumta, duke përfshi prej punëve të teknikut, punën e bartësit, punën e ndihmësit, sepse mungojnë bartësit dhe ndihmësit, e ne si teknikë i kryejmë edhe këto. Puna është jashtëzakonisht e madhe. Vullneti është shumë i madh. Pacientët janë në gjendje shumë më të rëndë, gjendja e tyre është më e keqe”, ka thënë ai.
Një nga viktimat e fundit është edhe një 28-vjeçare, shtatzënë në javën e 25-të. Ajo është shtatzëna e pestë brenda një jave që e humbi betejën me virusin.
Infermieri Syla ka folur edhe për betejat emocionale të stafit në të tilla raste.
“Pacientët në gjendje më të rëndë janë pacientë shumë më të rinj, më të rinj… Më të rinj se unë, edhe gjendja e tyre është jashtëzakonisht… Edhe ne kemi dhimbje, kemi familje, kemi emocione, kemi stres psikologjik se nganjëherë nuk mundesh me i ndihmu pacientit në atë gjendje”, ka shtuar ai.
Brenda 24 orëve të fundit, 21 persona kanë humbur betejën me COVID-19, e më shumë se 1 mijë e 200 raste kanë rezultuar pozitive. Por, pavarësisht rënies së numrit të hospitalizimeve, në Intensivë një gjë e tillë nuk po vërehet. Për rreth 1 orë e gjysmë, sa ka qëndruar këtu ekipi, edhe dy pacientë në gjendje të rëndë janë transferuar.
Muhamet Fazliu është kujdestar gjatë 24 orëve në këtë njësi. Ai ka folur për gjendjen e rëndë në këtë klinikë.
“Gjendja e pacientëve është mjaft e rëndë, janë pacientë të gjithë rëndë. Pjesa dërmuese janë të intubuar ose me CPAP. Gjithashtu, mbrëmë kishte qenë një natë e rëndë. Kur e kemi marrë pranimin prej kolegëve, kanë qenë 7 eksitusa (v.j. vdekje). Fatkeqësisht, kjo është gjendja”, ka thënë Fazliu, anesteziolog kujdestar.
Edhe Fazliu ka ngritur alarmin për moshat e reja që po përfundojnë në hospitalizim, e që sipas tij, në 95 për qind të rasteve janë të pavaksinuar.
“Kjo lidhet me vaksinim dhe me variantin Delta, që i atakon shumë moshat e reja, është shumë më bartës, më infektues. Ndoshta te moshat e reja ka qenë ai mendimi që unë i ri e s’po vaksinohemi, e ky ndoshta është gabimi që ne e kemi bërë si popullatë, të cilin po e vuajmë tash”, është shprehur ai.
Kosova qysh prej muajit gusht është duke u përballur me gjendje të rëndë epidemiologjike, jo veç të rasteve pozitive, por edhe të vdekjeve e hospitalizimeve.