Zyrtarët shëndetësorë në Angli kanë dhënë alarmin pasi rastet e tuberkulozit (TB) – sëmundja infektive më vdekjeprurëse në botë – janë rritur ndjeshëm vitin e fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA), gjatë vitit 2024 u regjistruan 5,490 raste tuberkulozi, një rritje prej 13.6% krahasuar me vitin 2023 (4,831 raste).
Edhe pse rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët, ekspertët paralajmërojnë se TB përhapet lehtësisht dhe mund të jetë fatal nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Tuberkulozi shkaktohet nga bakteri Mycobacterium tuberculosis dhe zakonisht prek mushkëritë, por mund të përhapet edhe në tru, shtyllë kurrizore apo veshka.
Simptomat kryesore, të cilat shpesh zhvillohen ngadalë për javë apo muaj, përfshijnë:
Kollë të vazhdueshme që zgjat mbi tre javë (ndonjëherë me gjak)
Temperaturë
Djersitje nate
Lodhje kronike
Humbje peshe dhe oreksi
Nëse nuk trajtohet, TB mund të dëmtojë rëndë mushkëritë ose të përhapet nëpërmjet gjakut, duke shkaktuar komplikacione fatale si meningiti apo dështimi i organeve.
Tuberkulozi mbetet sëmundja infektive më vdekjeprurëse në botë: sipas OBSH-së, vetëm në vitin 2023 vrau rreth 1.25 milionë njerëz, më shumë se HIV, malaria apo Covid-19.
Trajtimi është i mundur me antibiotikë për të paktën gjashtë muaj, por pacientët duhet të përfundojnë të gjithë ciklin për të shmangur rezistencën ndaj ilaçeve.
Sëmundja përhapet përmes kontaktit të zgjatur me një person të infektuar (kur kollitet, teshtin apo flet), por jo lehtësisht përmes kontakteve të shkurtra. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se është si e parandalueshme, ashtu edhe e shërueshme, me mbi 84% të pacientëve që kurohen brenda një viti.
Në Angli, shkalla e infeksionit është aktualisht 9.4 raste për 100,000 banorë, ende më poshtë se kulmi i vitit 2011 (15.6), por në rritje të vazhdueshme.
82% e rasteve të reja i përkasin personave të lindur jashtë Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, është vërejtur rritje edhe te personat e lindur në Angli.
Shkalla më e lartë është në Londër (20.6 për 100,000), e ndjekur nga West Midlands (11.5 për 100,000).
Një tjetër shqetësim i madh është rezistenca ndaj antibiotikëve: në vitin 2024, 2.2% e rasteve ishin rezistente ndaj disa ilaçeve, duke e bërë trajtimin më të gjatë dhe më të komplikuar.
Dr. Esther Robinson nga UKHSA tha:
“Është e rëndësishme të kujtojmë se jo çdo kollë e gjatë shoqëruar me temperaturë është grip apo Covid. Një kollë që zgjat mbi tre javë, shpesh me sekrecione, mund të tregojë probleme më serioze, përfshirë tuberkulozin. Konsultohuni me mjekun tuaj, sidomos nëse vini nga vende me incidencë të lartë të TB-së.”
Qeveria britanike ka shpallur një plan të ri kombëtar 2026–2031 për të ulur përhapjen e sëmundjes, për të përmirësuar diagnostikimin dhe aksesin në trajtim, si dhe për të ndihmuar grupet më të rrezikuara.