Partitë opozitare në Francë kanë dorëzuar një mocion mosbesimi, në përpjekje për të hedhur poshtë qeverinë e Emmanuel Macron, pas reformës për pensionet.
Mocioni duhet të miratohet nga më shumë se gjysma e Asamblesë dhe nëse do të ketë sukses, qeveria e Macron do të duhet të dorëhiqet. Hera e fundit që diçka e tillë ka ndodhur është në vitin 1962.
Në rast të kundërt, projektligji do të hyjë në fuqi.
Protesta të shumta u mbajtën në qytete të ndryshme të Francës këtë të premte, teksa njerëzit vijojnë të shprehin zemëratën lidhur me reformën shumë të debatuar.
Në Paris, transporti u ndërpre, ndërsa 310 persona u arrestuan pas një nate të tërë në protestë.
Reforma e presidentit Macron parashikon rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.
Për miratimin e saj, presidenti shfrytëzoi një vakancë ligjore që i lejoi miratimin pa votën e parlamentit.