Nga Bernd Peters, BILD
Ky është lajmi i ditës në mbarë botën.
Andrew Mountbatten-Windsor (66 vjeç), i njohur më parë si Princi Andrew, është arrestuar nga policia britanike. Dyshimi: shpërdorim detyre në funksion publik, bazuar në dosjet Epstein. Reagimi në mediat ndërkombëtare është i jashtëzakonshëm.
BILD sjell një përmbledhje të shtypit: si raportojnë mediet kryesore ndërkombëtare për rastin – nga “bombë mbretërore” deri te “një moment historik në luftën për drejtësi”.
Akuza ndaj vëllait të Charles III: ai mund të ketë përcjellë informacione të ndjeshme te abuzuesi seksual Jeffrey Epstein gjatë kohës kur mbante postin e përfaqësuesit britanik për tregtinë nga viti 2001 deri më 2011. Arrestimi nuk lidhet me akuzat për abuzim seksual. Andrew i mohon deri tani të gjitha akuzat për sjellje të pahijshme.
“Një krizë e madhe për familjen mbretërore”
▶ The Sun (Britani e Madhe):
“Një bastisje me gjashtë automjete civile në orën 8 të mëngjesit në një rezidencë mbretërore, për ta çuar vëllanë e Mbretit në komisariat në ditëlindjen e tij të 66-të, është tronditëse, dramatike dhe përbën një krizë të madhe për familjen mbretërore.”
“Monarkia mund të mos i mbijetojë kësaj”
▶ Daily Mail (Britani e Madhe):
“Monarkia i ka mbijetuar luftërave dhe krizave të panumërta. Por pikërisht për këtë arsye, mund të mos e mbijetojë arrestimin e Andrew – dhe pikërisht për këtë arsye, përçarja në zemër të familjes do të thellohet edhe më tej.”
“Një bombë mbi Shtëpinë Windsor”
▶ BBC (Britani e Madhe):
“Në rastin më të mirë bëhet fjalë për një kufi të kapërcyer. Në rastin më të keq, është një bombë mbi Shtëpinë Windsor.”
“Një hap i paprecedent”
▶ The New York Times (SHBA):
“Arrestimi i vëllait të monarkut në detyrë është një hap i paprecedent në historinë moderne të Britanisë së Madhe”. Historiani britanik Ed Owens tha se, pavarësisht zhvillimeve të mëtejshme, kjo përbën një krizë për familjen mbretërore.
“Unik në kohët moderne”
▶ People (SHBA):
“Është arrestimi i parë i një anëtari të familjes mbretërore dhe, për rrjedhojë, unik në kohët moderne.”
“Me peshë historike”
▶ Sueddeutsche (Gjermani):
“Ky arrestim … ka peshë historike.”
“Moment historik në luftën për drejtësi”
▶ Bunte (Gjermani):
“Hetimet policore ndaj Andrew nuk nënkuptojnë automatikisht se ai ka kryer një vepër penale. Megjithatë: arrestimi përbën një moment historik në luftën shumëvjeçare të Virginia Roberts Giuffre për drejtësi.”


