Monolog justifikimi për 21 Janarin: Rama kundër drejtësisë që pretendon. Drejton gishtin nga SPAK, gjyqtarët dhe… Berisha

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Çdo 21 Janar, kryeministri Edi Rama rikthehet me të njëjtin refren: “Duam drejtësi”. Sot, 15 vite pas vrasjes së katër demonstruesve në bulevard, Rama priti në Kryeministri familjarët e viktimave, ku mbajti një fjalim të gjatë, të shoqëruar me justifikime, akuza dhe sulme politike.

Në deklaratën e tij, kreu i qeverisë kërkoi drejtësi për 21 Janarin, por theksoi se ajo nuk duhet kërkuar nga qeveria, duke e zhvendosur përgjegjësinë jashtë godinës së Kryeministrisë.

“Kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin, le të shohë te stacioni i trenit dhe jo te kjo godinë”, u shpreh Rama, duke shtuar se nga Kryeministria ka dalë vetëm “bërthama e reformës në drejtësi”.

Si çdo vit, Rama sulmoi drejtpërdrejt kreun e PD Sali Berisha, duke e akuzuar për përgjegjësi direkte në ngjarjen tragjike.

“Godina ishte përforcuar tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhit të shëmtuar dhe hekurave qe e rrethonin që pas sulmit të armatosur të 14 shtatori ‘98, pse që ishin dhe disa të barrikaduarit enë 12 janar. Njeriu i futur nga populli në kryeministri, kishte lëshuar ushtrimin e një përgjigje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës”, tha Rama.

Në fjalimin e tij, Rama nuk kurseu as sulmet ndaj gjyqësorit, duke i etiketuar disa gjyqtarë si ndjekës të verbër të prokurorëve.

“Një pjesë e madhe të paraburgosurve janë viktima të karshillëkut të hatashëm ndaj lirive të të drejtave të njeriut nga ana e prokurorëve të një niveli dhe gjykatësve që shpesh i vejnë nga mbrapa prokurorëve si delja dashit për çore”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri kritikoi gjithashtu SPAK-un, duke e akuzuar Prokurorinë e Posaçme se për vite me radhë ka shmangur çështjen e 21 Janarit dhe ka shpenzuar energji në hetime që, sipas tij, “ngjajnë më shumë me romane satirike sesa me vendime gjyqësore”.

“Fatkeqësisht për vite me radhë, edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston. Apo ka shpenzuar energji për vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti, me çështje që janë aq të sforcuara, sa mund të shkruash romane satirike, jo vendime gjyqësore të formës së prerë fajësie”, deklaroi Rama.

Deklaratat e Ramës nxjerrin në pah një kontradiktë të fortë politike: thirrjet për drejtësi për 21 Janarin shoqërohen me sulme të drejtpërdrejta ndaj institucioneve që, sipas tij, duhet ta japin atë drejtësi.

Share This Article