Montana është bërë shteti i parë amerikan që ndalon TikTok-un pasi guvernatori nënshkroi legjislacionin që ndalon dyqanet e aplikacioneve celulare të ofrojnë aplikacionin brenda shtetit deri vitin e ardhshëm.
Lëvizja është ndër më dramatiket në një seri përshkallëzimi amerikan kundër TikTok-ut, i cili është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance.
TikTok-u është vënë nën kontroll në rritje për lidhjet e tij me Kinën, mes shqetësimeve se lidhje të tilla mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Qeveria federale, dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane, e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet qeveritare dhe administrata e Joe Biden-it ka kërcënuar me një ndalim kombëtar nëse kompania mëmë nuk shet aksionet e saj.
Kompania ka mohuar më parë se ka ndarë ndonjëherë të dhëna me qeverinë kineze dhe ka thënë se kompania nuk do ta bënte këtë nëse i kërkohet.
TikTok-u ka thënë se ligji i Montana-s “shkel të drejtat e amendamentit të parë të njerëzve të Montana-s duke ndaluar në mënyrë të paligjshme TikTok-un.
Dhe se kompania synon “të mbrojë të drejtat e përdoruesve brenda dhe jashtë Montana-s”.
Në mars, shefi ekzekutiv Shou Zi Chew, u detyrua të mbronte marrëdhëniet e kompanisë së tij me Kinën në një seancë dëgjimore dypartiake të Kongresit, me ligjvënësit që gjithashtu e grindnin CEO-n për ndikimin e rrjetit social në shëndetin mendor të të rinjve.
TikTok-u është një nga rrjetet sociale më të njohura në botë me më shumë se 100 milionë përdorues amerikanë dhe mbeten pyetje se si do të zbatohen ndalime të tilla dhe cili do të jetë ndikimi i tyre te krijuesit që përdorin platformën.
Ligji i ri i Montana-s, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndalon shkarkimet dhe do të gjobisë çdo entitet 10 mijë dollarë në ditë për çdo herë që dikujt i ofrohet aftësia për të hyrë në platformë. Dënimet nuk do të zbatohen për përdoruesit.
Ndalimi i Montana-s pritet të përballet me sfida ligjore dhe do të shërbejë si një terren testimi për Amerikën pa TikTok që kanë parashikuar shumë ligjvënës kombëtarë.