Kur në muajt e para të vitit 2020, bota ishte ende e shokuar nga pasojat e mundshme të pandemisë, dhe sheshet, institucionet publike dhe lokalet private ishin të boshatisura nga frika e përhapjes, një shtet merrte vendime totalisht të kundërta.
Kjo ishte Suedia. Vendi skandinav u bazua te masat e këshilluara nga Agjencia e Shëndetit Publik (Folkhälsomyndigheten në suedisht), e cila, edhe pse jo zyrtarisht, përdori qasjen e imunizimit të grupit. Asnjë lokal me qepenat ulur, asnjë shkollë e mbyllur, asnjë maskë, këshilla dhe jo urdhra për distancim social tek të moshuarit, dezinfektim duarsh etj.
Agjencia suedeze mendonte se në këtë mënyrë, brenda dy muajsh, do të arrinte të paktën 40% të imunitetit. Por në fakt imuniteti u arrit vetëm në një masë 11%, ndërkohë që për t’u arritur objektivi, sipas një studimi që po krijon skandal në opinionin publik, autoritetet shëndetësore arritën të përdorin metoda tejet të diskutueshme, në mos të paligjshme.
Studimi i botuar në prestigjiozen Nature, e cilëson si “dështim të plotë” strategjinë suedeze, madje thotë se në disa raste nuk kishte asnjë strategji.
Në raste të tjera, sipas studimit, strategjia ishte brutale. Kur shifrat filluan të rriten kundrejt parashikimeve të autoriteteve lokale, spitalet filluan të vendosnin një prag për pranimet në terapi intensive. Studimi evidentoi raste ku persona mbi 80 vjeç u refuzuan në terapi intensive, raste të tjera, rrëqethëse, ku ne vend të oksigjenit pacientëve iu dha morfinë, për të ulur dhimbjet para vdekjes, ndërkohë që ende mund të shpëtoheshin.
Studimi evidentoi edhe një përdorim të diskutueshëm të fëmijëve, të përdorur sipas tij si “armë përhapjeje” me qëllimin e imunitetit të tufës, që jo vetëm nuk u arrit në ritmet e menduara, por shkaktoi në fund një bilanc viktimash 10 herë më të madhe sa Norvegjia fqinje, që kishte masa të përafërta me vendet e tjera të BE-së, që shtrëngoi qeverinë e Stokholmit të ndryshojë qasjen ndaj COVID-19 dhe të ashpërsojë masat.