Autoritetet federale amerikane kanë paditur kryebashkiakun e Nju Jorkut, Eric Adams, në lidhje me hetimet për financimin e fushatës së tij me para nga Turqia. Sipas raportimeve të mediave amerikane Adams akuzohet se i dha dritën jeshile hapjes së konsullatës turke në Manhatan, duke përfituar donacione për fushatën e tij.
Akuzat e sakta nuk janë bërë ende të ditura, por disa media përmendin veprën penale të të vepruarit si agjent i huaj pas pranimit të parave nga subjektet e huaja, raporton A2.
Adams në reagimin e tij të parë për situatën argumentoi se prokuroria nisi ta hetojë për shkak se ai iu referua krizës me emigrantët, me të cilën po përballet Nju Jorku.
“Gjithmonë e dija se nëse do të mbështesja njerëzit e Nju Jorkut do të isha një objektiv, dhe u bëra. Nëse ndiqem penalisht, jam i pafajshëm dhe do të luftoj me të gjitha forcat”, tha ai në një deklaratë për New York Post.
Adams thuhet se pritet t’i dorëzohet autoriteteve amerikane javën e ardhshme. “Do të kërkoj që gjyqi të bëhet menjëherë në mënyrë që njerëzit e Nju Jorkut ta dinë të vërtetën”, tha ai në një video të postuar në platformën ‘X’, shkruan A2.
Përveç Adams, të paktën dy persona të tjerë dyshohet se janë përfshirë në të njëjtin rast. Briana Suggs, e cila ishte përgjegjëse për mbledhjen e donacioneve dhe Winnie Greco që ishte përgjegjëse për marrëdhëniet e kryebashkiakut të Nju Jorkut me vendet aziatike.
Të dhëna të tjera bëjnë me dije se në dosje përmenden edhe tre persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur. Në çdo rast, kjo është hera e parë që një kryetar bashkie i Nju Jorkut do të ndiqet penalisht në nivel federal.
Donacionet e paligjshme
Aktakuza e ngritur për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut e përkeqëson më tej pozitën e tij ndërsa popullariteti po i shkon në rënie. Përveç kësaj, hetimi mund të jetë një goditje për demokratët disa javë para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Të paktën katër hetime federale janë duke u zhvilluar, përfshirë tre nga zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit, kundër kryetarit të bashkisë dhe bashkëpunëtorëve të tij, disa prej të cilëve kanë dhënë dorëheqjen ditët e fundit.
Para se të shpalleshin akuzat, Doug Muzio, një analist politik në Nju Jork, theksoi se Adams “nuk mund t’i shmangë përgjegjësitë e tij”, ndërsa ai vlerësoi se “Republikanët mund të thonë: shikoni, është qyteti më i madh në SHBA, ata që drejtojnë janë demokratët dhe ka arsye për të besuar se korrupsioni është i përhapur atje”.
Më pak se një vit më parë, agjentët federalë sekuestruan pajisjet elektronike të kryebashkiakut të Nju Jorkut dhe kontrolluan shtëpinë e Brianna Suggs, kreut të ekipit për mbledhjen e fondeve të fushatës së Adams.