Koalicioni Shqiptar “Pro Familjes & Jetës” ka njoftuar organizimin e një tubimi qytetar këtë të shtunë, më 15 nëntor, ora 10:30, në Sheshin Skënderbej, ku më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt Presidencës.
Nën moton “Mos ma prek familjen!”, organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në “Marshimin për Jetën, Lirinë, Familjen dhe Atdheun”, duke e konsideruar këtë si një nga kauzat më të mëdha që përfshin vlerat bazë të shoqërisë shqiptare.
“Të dashur miq, çdo kontribut dhe angazhim nga ju është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm. Kemi nevojë për mbështetje me njerëz. Ejani me familjen tuaj dhe ndajeni me miqtë. Kjo është kauza më e madhe që familja dhe atdheu kanë përpara,” thuhet në thirrjen e shpërndarë nga organizatorët.
Kujtojme qe Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës projektligjin e shumëdebatuar “Për barazinë gjinore”. Kundër votuan 36 deputetë të opozitës, të cilët e kanë kritikuar ligjin ashpër duke thënë se qëllimi është shkatërrimi i familjes.
Organizatorët e marshimit e shohin këtë si një moment vendimtar për të shprehur shqetësimin e tyre ndaj, siç e quajnë, cenimit të vlerave tradicionale të familjes shqiptare.




