Në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, pianisti Azem Haziri ka luajtur në piano këngën e Parashqevi Simakut, “mos ua vrisni lumturinë” në Mynih të Gjermanisë dedikuar fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës.
Haziri theksoi se përmes kësaj pjese ai ka përkujtuar 1432 fëmijët e vrarë gjatë luftës së Kosovës.
Midis tyre, është edhe figura e Leutrim Ahmetit i cili u vra në moshën 7-vjeçare.
“Unë jam rritur me një frymë patriotike dhe me sakrificat e popullit tonë. Dhe të gjitha videot e mia kanë të njëjtin qëllim për patriotizëm.
Kësaj here kam menduar që të kujtojmë 1432 fëmijët e vrarë gjatë luftës. Mendova në një formë më ndryshe që t’i kujtojmë.
Në bluzën time kam pasur edhe figurë ne Leutrim Ahmetit i cili është vrarë në moshën 7-vjeçare, i cili po të ishte gjallë sot do të ishte në moshën time.
Por fatkeqësisht shteti serb nuk i lejoi të jetojë 1432 fëmijë”, u shpreh Haziri.
Haziri shtoi më tej se qytetarët në Mynih janë befasuar dhe u treguan kureshtarë teksa ai luante në piano pjesë nga kënga e Parashqevi Simakut, “mos ua vrisni lumturinë”.


