Një i arrestuar dhe tre të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, përbëjnë deri më tani bilancin e të shoqëruarve nga policia për protestën e djeshme të opozitës, e cila u shoqërua me akte dhune si shkatërrimi i pronës publike, goditja me molotov e kordonit të policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore.
Ttre personat që janë proceduar në gjendje të lirë janë të mitur. Ndërkohë burime bëjnë me dije se 9 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi janë përgjegjës për hedhjen e molotovëve drejt selisë së PS, kryeministrisë, ministrive dhe Bashkisë së Tiranës.
Çfarë ndodhi dje?
Me simpatizantë të mbledhur në oborr, në mungesë të Sali Berishës të burgosur në shtëpi, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi shoqëruar nga zyrtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike dolën nga “selia blu” për të prirë 3 orët e “mosbindjes civile”.
Me mbi gjysmë ore me vonesë nga orari i lajmëruar për nisjen e protestës, mbërritja e “të besuarve të Berishës” përballë kryeministrisë “ndezi” protestuesit që ishin grumbulluar aty. Turmës iu bashkua tashmë edhe Shkëlzen Berisha.
Në mungesë të Edi Ramës që ndodhej në Gjermani, demokratët ja “shfrynë inatin” godinës së Kryeministrisë, më saktë njërës nga pemëve përbri saj. Një gomë e djegur para Presidencës i kishte paraprirë zhvillimit të ngjarjeve.
Me Ilir Metën, shoqëruar me simpatizantë të Partisë së Lirisë bashkuar protestës, por duke qëndruar në distancë nga organizatorët demokratë dhe kordonin e policisë që qëndronte përballë tyre dhe derën e fortifikuar pas shpine, protestuesit përdorën molotovët.
Pak pasi policia kishte parkuar automjetet e saj në hyrje të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të bllokuar trafikun, pas shenjës së Flamur Nokës demokratët protestues marshuan drejt selisë së Partisë Socialiste. Një molotov i hedhur nga turma e protestuesve përfshiu në flakë banderolën e vendosur në ballinën e “selisë rozë”. Misioni simbolik u përmbush. “Edi Rama” ishte në flakë…
Me sytë në ekranin e telefonit , Flamur Noka dhe organizatorët e tjerë bënë disa qëndrime gjatë marshimit.
Më lehtë e kaloi godina e Ministrisë së Brendshme. E njëjta nuk ndodhi me atë të Bashkisë Tiranë. Me gjithë 37 javët protestë, të gjendur përballë institucionet që drejtohet nga Erion Veliaj, demokratët nisën të përplasen me kordonin e policisë. Nuk munguan as molotovët. Një efektiv u përfshi nga flakët. Më pas ishte radha e një protestuesi.
Gjatë rrugës për te godina e Kuvendit ku nuk u kursye përdorim i gazit lotsjellës, nuk munguan as incidentet si thyerja e kësaj tabele reklamimi apo edhe hapja e derës në një ambulance me sirenë ndezur nga protestuesit. Tre qytetarë mbetën gjithashtu të lënduar. Demokratët përdorën maskat për t’u mbrojtur.
Teksa marshimit po i vinte fundi, Policia e Shtetit njoftoi se Policia e Shtetit ishin dëmtuar 10 efektivë nga përplasjet me protestuesit dhe molotovët. Ekspertët e kriminalistikës nisën ndërkohë veprimet për dokumentimin dhe mbledhjen e provave pas lëndëve plasëse që u hodhën drejt Kryeministrisë.
Jo më me gjeste e lëvizje siç kishte bërë për tre orë, nga “selia blu” foli Flamur Noka.
“Sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh: Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë qetësi. Qytetarët sot i dhanë leksion Ramës. Ky ishte vetëm hapi i parë. Kjo nuk ishte protestë, por revoltë”, u shpreh Noka.