Moti i keq me reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta ka përfshirë të gjithë vendin ditën e sotme. Lidhur me këtë situatë, Autoriteti Portual Vlorë ka marrë vendim për pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla të peshkimit. Në një njoftim të shpërndarë nga ta thuhet se është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 10:00.
Gjithashtu në njoftim thuhet se të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës duhet të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Sipas njoftimit, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00.
Nga ana tjetër, edhe në Portin e Durrësit, është pezulluar lundrimi për mjetet e tonazhit të vogël duke përfshirë edhe peshkarexhat. Ndërsa linjat e trageteve me Italinë kanë vijuar pa probleme. Tragetet Bari-Durrës kanë lundruar normalisht. Ndërkohë veprimtaria e flotës së peshkimit pritet t’i kthehet normalitetit në fillim të javës së ardhme, pasi moti parashikohet të përmirësohet të dielën.
Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se forca e detit është 5-6 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja. Pasdite era parashikohet të ndryshojë drejtim e të fryjë nga veriu duke sjellë dhe rënie të temperaturave.
Njoftimi i plotë:
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 14.12.2024 duke filluar nga ora 10:00 datë 14.12.2024 në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1.Eshtë ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 10:00 datë 14.12.2024.
2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00 të datës 14.12.2024.