Tre persona kanë humbur jetën të shtunën në tre incidente të ndara të shkaktuara nga deti i trazuar në ishullin spanjoll të Tenerifes, kanë bërë të ditur shërbimet lokale të emergjencës.
Një helikopter shpëtimi ka transportuar një burrë që kishte rënë në ujë pranë një plazhi në komunën veriore të La Guancha. Më herët, një tjetër burrë ishte gjetur pa shenja jete në plazhin El Cabezo.
Në një tjetër ngjarje, një valë e fortë në molin e Puerto de la Cruz, në veri të ishullit, ka rrëmbyer në det dhjetë persona. Falë ndërhyrjes së policisë dhe kalimtarëve, shumica prej tyre janë shpëtuar, por një grua ka pësuar atak kardiak dhe ka ndërruar jetë.
Tre persona të tjerë nga i njëjti grup janë plagosur rëndë dhe janë dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
Autoritetet spanjolle kanë vënë në gatishmëri të lartë Ishujt Kanarie, përfshirë Tenerifen, për shkak të kushteve të rrezikshme detare dhe paralajmërimeve për valë të fuqishme përgjatë bregdetit.




