Përmbytje të mëdha janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë Spanjën juglindore. Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e shkollave, universiteteve dhe qendrave të kujdesit ditor.
Në rajonet e Murcia, Valencia dhe Andaluzia janë shënuar problemet më të rënda nga moti i keq, ndërsa në Kartagjenë, rrugët u kthyen në lumenj, ku makinat u zhytën në ujë dhe baltë, teksa ekipet po bëjnë përpjekje për të nxjerrë ujin nga bodrumet e shtëpive.
Në Valencia, disa zona kanë rënë më shumë reshje shiu në 24 orët e fundit sesa kanë rënë në total në gjashtë muajt e mëparshëm, thekson Shërbimi Meteorologjik Spanjoll.
130 litra ujë për metër katror ranë brenda një periudhe 24-orëshe në qytetin e Odinientit, një rekord shiu për muajin maj prej më shumë se 100 vjet. Shirat e dendur erdhën pas një periudhe të gjatë thatësie. Tremujori i parë i vitit 2023 ishte më i thati që nga viti 1961, kur të dhënat filluan të regjistroheshin, sipas shërbimit meteorologjik spanjoll.
Edhe Italia është përballur me përmbytje për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ku më i prekur është rajoni Emilia Romagna. 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, teksa qeveria italiane ka miratuar dekretin e emergjencës, duke dhënë 2 miliardë euro për zonat e prekura./ CNN.gr