Në nisje të sezonit veror, sytë e pushuesve në plazhe kthehen edhe nga motorët e ujit, që në jo pak raste janë shqetësues për ta, për mënyrën e përdorimit.
Për të eliminuar ngjarje tragjike dhe pushuesit të jenë të sigurte, ekspertët e sigurisë rekomandojnë që kontrollet nga autoritetet ligjzbatuese të përgatiten në kohë dhe të intensifikohen nga toka, ajri dhe deti.
“Duhet të jenë të qarta, të përcaktuara korridoret, rrugëkalimet, pra nga vendi i parkimit apo i mbarkimit të mjeteve, deri në dalje në zonën e caktuar. Lundrimi, përdorimi i tyre nuk duhet të jetë më afër se 200 metra nga vija e ujit, janë të përcaktuara.
Secili prej drejtuesve duhet të ketë patentën që mund ti japë, të jetë mbi 18 vjeç, duhet të kontrollohen nëse kanë përdorur ose jo lëndë narkotike, apo janë nën efektin e alkoolit, dhe ajo që është shumë e rëndësishme është të ketë veshjet, veshja e posaçme dhe syzet mbrojtëse.
Duhet të kenë sinjalistikën në rastet e avarive dhe ato mjetet që në momentin që bie, ajo duhet të jetë e lidhur me dorën, fikja e motorit, bllokimi i mjetit e me radhë”, tha për A2 CNN, eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Për ekspertin Softa, lundrimi me këto mjete duhet të ketë një orar të përcaktuar.
“Duhet të ketë kamera që të shihen në kohë reale, por mund të vendosen edhe dronë që në një orar të caktuar, pasi nuk mund të jetë gjatë gjithë kohës.
Duhet të jepen disa orare, ora e fillimit dhe ora e mbarimit të përdorimit të këtyre mjeteve.
Dhe ngritja e dronëve, mbajtja në mbikëqyrje kur kemi tejkalim të shpejtësisë, përdorim të tepruar, largim apo afrim nga zonat e notarëve apo zonat ku janë pushuesit duhet të bëjmë ndërhyrje”, nënvizoi Softa.
Pak ditë më parë, në Durrës u shënua incidenti i radhës nga keqpërdorimi i motorëve të ujit, ku pati një viktimë dhe një të plagosur.