Ish’ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se vendimi i qeverisë Hoti për rithim të konsujve që i kishte shkarkuar ai me anë të një vendimi tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm të LDK’së.
Konjufca me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar.
“Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike. Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%”, ka thënë ai.
Ish’ministri shton se vendimi i sotëm është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes.
“Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA. Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme. Zgjedhjet e reja demokratike do të vinë shumë shpejt sepse qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. Prandaj këto vendime kriminale të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet që janë afër”, ka shkruar Konjufca.
Ministria e Jashtme e udhëhequr nga Meliza Haradinaj i ka anuluar të gjitha vendimet e marra nga ministria paraprake e udhëhequr nga Glauk Konjufca.
Qeveria Hoti ka anuluar vendimet e kabinetit të Konjufcës kishte marrë vendim për shkarkimin e disa ambasadorëve duke përfshirë edhe ambasadoren Vlora Çitaku. Përveç Çitakut, Konjufca kiste marrë vendim të shkarkojë edhe Edon Canën, Lirim Grejçevcn, Shpend Kallabën, Mimoza Ahmetajn, Ylber Hysën si dhe Ramadan Avdiun. Sipas tij të lartcekurve i ka përfunduar mandati 4 vjeçar.