Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 60 profesionistë shëndetësorë kanë shprehur gatishmërinë për t’u vaksinuar vullnetarisht kundër COVID-19 në Kukës.
Sipas MSH-së, lista është hartuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
“Ministri Zemaj e ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe aranzhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, thuhet në njoftim.
“Në ndërkohë, do të pranohen edhe vullnetarë të tjerë të cilët shprehin interesim për vaksinim brenda numrit të ofruar të dozave për profesionistët nga Kosova, derisa procesi të fillojë edhe në Kosovë”.
Në Kosovë ende nuk kanë arritur dozat e para të vaksinës anti-COVID, duke u bërë kështu shteti i vetëm në Evropë që s’ka filluar procesin e vaksinimit.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar që në shkurt të këtij viti për ardhjen e vaksinës anti-COVID. Pos tij, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kishte thënë se vaksinat do vijnë gjatë muajit mars, gjithsej 33.000 doza.