Albania
Muçobega dhe Basha betonizojnë gjirin e Llamanit
Një pikë e “voçkël” në Gjirin e Llamanit, me sipërfaqe 101.200 metra katrorë, do të betonohet. Projektit, i cili po zhvillohet nga dy biznesmenët Arben Muçobega dhe Redjan Basha. Me veprime dhe dokumente tepër të dyshimta, duke qenë se zona është tërësisht shkëmbore, ata kanë arritur që të bindin qeverinë dhe veçanërisht ish-ministren e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila ka firmosur edhe lejen e zhvillimit.
Prej shumë vitesh, biznesmeni Arben Muçobega vijon që të shfrytëzojë të gjithë Gjirin e Llamanit, duke ngritur lokale dhe restorante luksoze, në një nga gjiret më të bukura të detit Jon, midis Himarës dhe Porto Palermos. Muçobega ka marrë vazhdimisht leje për shfrytëzimin e plazhit, ndërkohë që ka publikuar edhe projekte që e shndërrojnë të gjithë zonën e Llamanit në një resort personal, pa asnjë dalje në det për qytetarët e thjeshtë.
Ndërkohë, krahas këtij projekti, Muçobega ia vuri syrin edhe kodrës ngjitur me Gjirin e Llamanit. Është një kodër shkëmbore, normalisht që s’duhet të kishte pronar pasi është e pashfrytëzueshme dhe tërësisht në afërsi dhe pjerrësi të madhe drejt detit Jon. Por, si në çdo vend të bukur, ndoshta edhe asaj zone shkëmbore i ka dalë pronari si “tokë buke e gjyshit”.
Leja e zhvillimit u firmos me shpejtësi para zgjedhjeve të fundit parlamentare, madje nga Mirela Kumbaro, ministrja e Mjedisit e cila i njeh mirë këto pika të “voçkla”. Me një vendim të beftë dhe me një prapaskenë të llahtarshme, duke qenë se ajo zonë u la qellimisht jashtë zonës së mbrojtur, Kumbaro ka firmosur një tjetër dokument tjetërsimi e shkatërrimi, pas Gjirit të Manastirit në Sarandë.
Kush janë përfituesit e kësaj leje? Sipas dokumenteve, qeveria ka miratuar lejen e zhvillimit për projektin “Amantes”, në Bashkinë Himarë, një “resort multifunksional, hotel, vila dhe shërbime me subjekt ndërtues shoqëritë ‘Capital B’ dhe ‘Bega 07’”.
Kompania Capital B ka si pronar Redjan Bashën ndërkohë që firma Bega 07 ka si pronar biznesmenin tepër të kaluar Arben Muçobega, i akuzuar edhe nga eksponentë të opozitës për lidhje të dyshimta, qoftë me botën e krimit ashtu edhe me politikën.
Në dokumenteve, shkruhet se projekti “Amantes” është vlerësuar dhe trajtuar duke marrë në konsideratë të gjithë aspektet si ato strategjike, ndërtimore, sociale, ekonomike dhe mjedisore. “Projekti i resortit me 5 yje ‘Amentes’ do të zhvillohet në zonën e plazhit të Llamanit, në kufi me plazhin e Himarës, në Bashkinë Himarë,e cila ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë” thuhet në lejen e zhvillimit.
Sipas saj, resorti “Amantes” shtrihet në kodrën përbri plazhit të Llamanit. “Sheshi i ndërtimit të resortit ka një sipërfaqe prej 101.200 metra katrorë me dalje të drejtpërdrejtë në plazhin shkëmbor të detit Jon, duke ofruar një pamje mahnitëse të detit për të gjithë pushuesit dhe vizitorët e resortit” shkruhet në këtë leje.
“Peisazhi ekzistues ka një topografi të pjerrët që shtrihet nga maja e kodrës në det, duke ofruar shtigje dhe pamje mbresëlënëse. Duke ndërprerë shkallën e ndërhyrjes, natyra mund të përshkoj arkitekturën dhe të integrohet me të. Si rezultat i kësaj zgjidhje funksionale arkitektura dhe natyra bëhen një”, vijon dokumenti.
Në dokumente shkruhet se prona aktualisht është bosh dhe e pashfrytëzuar, por në pjesën më të ulët të saj, në afërsi të plazhit të Llamanit, ndodhen disa objekte të ulta kryesisht 2-3 kate. Këto objekte janë ndërtime që i shërbejnë funksionit të turizmit bregdetar veror.
Arben Muçobega ka bërë të gjitha ndërtimet në atë zonë, duke e kthyer Gjirin e Llamanit në një pronë private. Madje, ai merr leje lehtësisht nga institucionet shtetërore, si leje plazhi apo vendosje strukturash, dhe më pas ua shet këto leje firmave të tjerë.
“Të gjitha ndërtimet që ndodhen në zonë janë bërë pas vitit 2000. Deri në atë periudhë, jo vetëm prona, por e gjithë zonë e përfshirë këtu dhe vijën bregdetare ishte e pa ndërtuar”, shkruhet në dokument.Mësohet se në atë resort do të bëhet hotel luksoz, vila, apartamente dhe zona e ndërmjetme komerciale, përfshirë restorantet, hapësirat e mirëqenies dhe zonat e komunitetit që përmirësojnë përvojën turistike.
“Qëllimi i projektit është krijimi i hapësirave akomodues për banim dhe hoteleri, duke krijuar ndjesinë e një lokaliteti ftues. Për këtë përgjatë kodrës janë pikasur disa pozicione të cilat do të ofrojnë shërbime të ndryshme dhe do të funksionojnë si zona për bashkimin e komunitetit, socializimin, shpenzimin e një kohe cilësore”, vijon dokumenti.
Më tej shkruan se vilat ndjekin një koncept “stackingstone”, i projektuar për të minimizuar gërmimet dhe për të ruajtur topografinë e kodrës. “Masterplani parashikon 50 vila të shpërndara në terren në grupime 2 apo 3 vilash. Të gjitha këto grupime përfshijnë 1 vilë të madhe (apo 2 vila të mëdha në rastin e grupimeve 3-she) dhe 1 vilë të vogël” thuhet në dokument.
Në korrik të vitit 2022, qeveria mori një vendim për shpallen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të gjirit të Porto – Palermos. Në vendim përcaktohet se parku natyror ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.694 hektarësh, nga të cilat 1.490 hektarë ose 87.93 % janë sipërfaqe detare dhe vetëm 204 hektarë ose 12.07 % janë sipërfaqe tokësore.
Nëse do të shikosh edhe hartën, zona tokësore është vetëm ajo zallishte dhe disa shkëmbinj, gjithashtu edhe kalaja që ndodhet në atë zonë, në një ishull të vogël. Me këtë vendim u la jashtë zonës së mbrojtur e gjithë pjesa tjetër tokësore, që praktikisht është Porto Palermo apo edhe Gjiri i Llamanit. Vendim që hapi edhe rrugën e ndërtimeve apo tjetërsimit të të gjithë zonës. Një skemë e përdorur edhe në vende të tjera, tepër të mbrojtura, kjo me qëllim lejimin e ndërtimeve dhe betonit.
Duket sërish një vendim tepër i diskutueshëm, pas ish-bazave ushtarake në Sarandë dhe Shëngjin, tjetërsimi i të cilave nga Ministria e Mbrojtjes është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. A do të ketë të njëjtin fat edhe ky vendim i ministres Kumbaro?!
Albania
“Që kur mesazhet janë prova?”, Rama: “Shpërdorimi i detyrës” do të rishikohet
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, tha se në 3 mandatet e Partisë Socialiste, 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre. Këtë të fundit, Rama e cilësoi një “nocion i cili duhet të rishikohet”.
Sipas tij, SPAK “ka dhënë dënime skandaloze”, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore dhe shtoi se “mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe”.
“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE-së, sepse është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthye nocionit me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë”, tha Rama.
“Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është për turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion”, shtoi Rama.
“Çfarë do të thotë mesazhe, që kur mesazhet janë prova? Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq: çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgu ka evidentuar gjëra të rënda”, shtoi kryeministri.
Albania
“Kemi raketa Javelin dhe tre anije patrulluese”, Rama: Kemi sot ushtrinë më të mirëpaguar, ia kalojmë edhe Serbisë
Gjatë konferencës vjetore me gazetarët, kryeministri Edi Rama foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se vendi ynë ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, duke ia kaluar kështu edhe Serbisë.
“Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa I përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Albania
Si u krijua aleanca mes mafies shqiptare dhe karteleve të drogës në Meksikë
Nga Victor Manuel Sanchez Valdes, NORO ESTE
Njoftimi i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve ndaj familjes Hysa, e cila është me shtetësi meksikane, por me origjinë shqiptare – për akuzën e pastrimit të parave në favor të fraksionit “Mayiza” të Kartelit të Sinaloas, i shtohet një liste të gjatë lajmesh që lidhin kartelet meksikanë me klane kriminale me origjinë shqiptare dhe ngre pyetjen: pse është bërë kaq e zakonshme lidhja mes organizatave të krimit të organizuar të Meksikës dhe Shqipërisë?
Në Meksikë dihet pak për mafien shqiptare, por ajo është shumë e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, pasi, së bashku me ’Ndrangheta-n italiane, përbëjnë dy mafiet që kontrollojnë trafikun e drogës në Evropë dhe, për rrjedhojë, janë ndër aleatët kryesorë ndërkombëtarë të Kartelit të Sinaloas dhe Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG). Përveç Evropës, ajo ka prani edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Australi, përmes emigrantëve me origjinë shqiptare të vendosur në këto vende.
Në fund të viteve ’80, si mafia shqiptare, ashtu edhe ’Ndrangheta ishin relativisht të vogla krahasuar me organizata të tjera kriminale, por nga vitet ’90 nisën të rriten falë dy faktorëve kryesorë. I pari ishte dobësimi i mafieve me ndikim të madh për shkak të ndjekjes penale nga qeveritë evropiane, si mafia siciliane (Cosa Nostra), Camorra napolitane, mafia ruse, mafia galiciane apo Union Corse. Në të gjitha këto raste, autoritetet gjetën anëtarë të gatshëm të spiunonin bashkëpunëtorët e tyre, gjë që lejoi ndjekjen penale të shumë udhëheqësve dhe i bëri këto grupe partnerë më pak të besueshme për kartelet meksikanë apo kolumbianë.
Ndërsa “spiunët” dobësonin këto mafie, kartelet meksikanë dhe kolumbianë gjetën te mafia shqiptare dhe ’Ndrangheta aleatët e duhur, pasi në të dy rastet bëhet fjalë për grupe kriminale të përbëra vetëm nga persona me lidhje të drejtpërdrejta familjare – prindër, fëmijë, vëllezër, motra, xhaxhallarë e nipër – çka ul ndjeshëm rrezikun e tradhtisë, pasi lidhja e gjakut është vendimtare.
Faktori i dytë është se, në një kohë të shkurtër, falë diasporës së emigrantëve nga Shqipëria dhe Kalabria (rajon në jug të Italisë, prej nga e ka origjinën ’Ndrangheta dhe që karakterizohet nga të ardhura më të ulëta se pjesa tjetër e vendit), ata arritën të vendosin prani pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, veçanërisht në porte, qendra të mëdha financiare, kryeqytete me popullsi të madhe dhe zona me rritje të shpejtë ekonomike.
Për shembull, mafia shqiptare ka prani në qytete shumë të rëndësishme si Londra, Berlini, Parisi, Stokholmi, Stambolli, Nju Jorku, Sidnej, Toronto, Madridi apo Roma, si dhe në porte me trafik të lartë tregtar në Evropë, si Hamburgu në Gjermani, Algeciras dhe Valencia në Spanjë, Antverpeni në Belgjikë dhe Roterdami në Holandë.
Duke qenë se portet janë pika kryesore e hyrjes së drogave si kokaina dhe fentanili në Evropë, dhe mafia shqiptare është ajo që është më e infiltruar në këto pika, ajo bëhet një aleate kyçe për organizata si Karteli i Sinaloas apo CJNG.
Por përveç këtyre dy arsyeve, ekziston edhe një e tretë që e dallon mafien shqiptare: përveç rolit kyç në trafikun e drogës, ajo u ofron organizatave meksikane edhe qasje në një rrjet shumë të gjerë pastrimi parash në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, si Kina.
Shqiptarët investojnë në projekte imobiliare luksoze në të gjithë Evropën; janë pronarë kazinosh, hotelesh, qendrash turistike, spa-sh dhe restorantesh, por gjithashtu kanë krijuar aleanca me kinezë dhe turq për interesa në biznese të vogla me produkte të lira dhe pirateri në qytete të ndryshme.
Po ashtu, janë identifikuar operacione të tyre në qendrat kryesore financiare të Evropës, si Cyrihu, Gjeneva, Frankfurti apo Londra, si dhe blerje kriptomonedhash, përdorimi i platformave të lojërave elektronike apo mashtrime masive përmes mjeteve digjitale.
Në përmbledhje, mafia shqiptare është bërë një partnere shumë e vlefshme për kartelet meksikanë sepse është një nga blerëset më të mëdha të drogës, ka një rrjet të gjerë shpërndarjeje në Evropë dhe vende të tjera, ofron shërbime tepër të rëndësishme si pastrimi i parave dhe madje mund të sigurojë edhe armë të rënda.
Kjo bën të mundur që i njëjti klan shqiptar të ketë marrëdhënie biznesi me kartele armike mes tyre, si Karteli i Sinaloas dhe CJNG, sepse kostoja e prishjes së marrëdhënies është më e lartë sesa tolerimi i mungesës së ekskluzivitetit.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se, ndryshe nga Karteli i Sinaloas apo CJNG, mafia shqiptare nuk është një organizatë e vetme, por shumë të pavarura: çdo klan familjar funksionon si një bandë më vete, me portofolin e vet të bizneseve. Ndryshe nga organizatat kriminale meksikane, të cilat shpesh përplasen dhe konkurrojnë dhunshëm, shqiptarët rrallë përfshihen në konflikte të dhunshme dhe shumicën e kohës bashkëpunojnë mes tyre dhe ndajnë fitimet.
Për këtë arsye nuk është aspak çudi që familja Hysa, e vendosur në Meksikë, dhe që qeveria amerikane e lidh me fraksionin Mayiza, të shërbejë si urë lidhëse me klanet e mëdha evropiane dhe që, përveç pastrimit të parave përmes kazinove, të ofrojë qasje në një katalog shumë të gjerë investimesh në Evropë, gjë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet meksikane. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh marrëdhënia mes organizatave shqiptare dhe atyre meksikane është intensifikuar.
-
UK1 day agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 day agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania3 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports1 day agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania1 day agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Kosova23 hours agoKëta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes
-
Albania2 days agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
