Edvin Murati ndodhet i vetizoluar në Francë, ku situata për shkak të Koronavirusit është mjaft problematike. “Lusha”, siç njihet ndryshe Murati, tregoi për “FanZone” se i ka propozuar presidentit të FSHF-së, Amand Duka, Luis Fernandezin për trajner të Kombëtares. “E kemi thyer nga pak karantinën, diku do ta tregojmë që jemi shqiptarë.”
Nofka “Lusha”: Babai im, kur kam qenë i vogël, më thërriste “Lusha” dhe më mbeti emri.
Situata në Francë: Në Francë gjendja është shumë e vështirë. Këtu janë 14 mijë të vdekur, duhet shumë kujdes. Për futbollin është shumë e vështirë, pasi gjërat janë të lidhura me të drejtat televizive etj.
Ndeshja me Greqinë: Janë kujtime shumë të bukura. Greqia ishte kampionë e Europëst në vitin 2004. Në atë periudhë unë luaja në Greqi, janë emocione të veçanta kur i shikon ato momente. Ishim një ekip shumë i mirë pasi luanim së bashku me njëri-tjetrin prej 6-7 vitesh. E ndihmonim shumë njëri-tjetrin. Në Greqi më quanin “Maradona i Ballkanit”.
PSG, ekipi i zemrës: Është ekipi im i zemrës, pasi kam ardhur që 15 vjeç. Ishte ekipi që më ndihmoi kur unë isha emigrant. E ndjek gjithmonë dhe do jem gjithmonë në ndeshjet e këtij klubi.
Trajnerët francezë për Kombëtaren: Dukës i kam propozuar disa trajnerë francezë, por ai mendon që është më mirë për Kombëtaren që të marrë trajnerë italianë. I kam propozuar Luis Fernandezin, por nuk e ka pranuar.
Ndeshja e bamirësisë: Ishte kënaqësi dhe tashmë do të mundohem që të bëj një ndeshje mes legjendave Francë-Shqipëri.