RCD Mallorca po kërkon të stabilizohet në elitën spanjolle të futbollit. Vjet luajti në kategorinë e dytë, parvjet në të parën e disa vjet më parë edhe në kategorinë e tretë. Aktualisht është në pjesën e poshtme të tabelës në La Liga, ndërsa shpreson se deri në fund të edicionit të mbledhë pikët e mjaftueshme për të mbetur në kampionatin elitar spanjoll. Shumë do të varet nga forma e sulmuesve. E Vedat Muriqit ndër të tjera.
Sulmuesi kryesor i Kosovës të hënën mbrëma është huazuar nga Lazio te Mallorca deri në fund të edicionit. Misioni i tij është i ngjashëm me klubin – stabilizimi i karrierës. Kthimi i saj në rrugën e duhur.
Nëse Mallorca mbetet në La Liga edhe Muriqi do të mbetet në ishullin e bukur spanjoll. Nëse Mallorca bie në kategorinë e dytë, Muriqi duhet të lëvizë sërish. Kjo nuk vlerësohet gjë e duhur për momentin të cilin prizrenasi po e kalon në karrierë. Ai po vuan nga mungesa e golave, po vuan për asistime dhe për të vendosur ndeshje.
Karriera e tij është në rënie dhe për të ndërprerë këtë vendosi të largohej nga Lazio, skuadra serioze e Serie A. Lazio për Itali është skuadër dukshëm më e madhe se Mallorca për Spanjë. Lëvizja e Muriqit mund të jetë hap prapa, por hap i domosdoshëm për të ardhmen e tij.
Ai këtë edicion regjistroi 11 paraqitje në Serie A, ndërsa kontribuoi vetëm me një asistim. Nuk ka shënuar as në tri ndeshje në Ligën e Evropës e një në Kupën e Italisë.
Muriqi te Lazio kaloi në mes të shtatorit të vitit 2020. Kishte shkëlqyer në Turqi dhe realizoi transferim të madh. Por doli të jetë jo më i qëlluari. Në edicionin 2020/2021 luajti 27 ndeshje në Serie A, ndërsa e realizoi vetëm një gol. Në Champion në pesë ndeshje nuk gjeti golin, ndërsa në dy ndeshje për Kupën e Italisë realizoi një gol e një asistim.
Te gjiganti turk, Fenerbahçe, luajti në edicionin 2019/2020. Shënoi 15 gola në 32 paraqitje kampionale. I kishte edhe gjashtë asistime. Në katër ndeshje për Kupë realizoi dy gola e një asistim.
Zhvillimi i 27-vjeçarit në karrierë ishte gradual. Karriera e tij ishte gjithnjë në ngritje, deri më tani. Nisi te Liria e Prizrenit, ndërsa më pas luajti për Teutën e Durrësit dhe Besën e Kavajës në Shqipëri. Në vitin 2014 iu bashkua futbollit turk ku luajti për Giresunsporin, Gençlerbirgligin, Rizesporin dhe Fenerbahçen.
Tani synon gola te Mallorca spanjolle. E di që te Lazio kanë pritur më shumë prej tij. Por edhe ai ka pritur më shumë sukses personal te skuadra italiane.
“Dua të falënderoj tifozët e vërtetë të Lazios për besimin, përkrahjen dhe respektin që kishin ndaj meje. Për fat të keq nuk kam mundur t’ua shfaq mjaftueshëm Vedatin e vërtetë në fushë. Faleminderit që e bëtë Romën shtëpinë tonë për mua dhe familjen time dhe që reflektuat dashuri për ne. Zemra ime dhe përkrahja ime do të jetë për ju në pjesën e mbetur të ligës”, ka shkruar Muriqi në një postim në rrjete sociale.
Lëvizja e Muriqit për në Spanjë është e rëndësishme edhe për Kosovën. Ai është lojtari kryesor ofensiv i “Dardanëve”. Në 37 paraqitjet e deritashme i ka realizuar plot 18 gola. Suksesi i Kosovës varet shumë nga forma e Muriqit. Ndonëse te Lazio ka luajtur pak, Muriqi te Kosova kryesisht ka qenë në formë të mirë. Por me kthimin e golave në nivel klubesh shtatlarti mund të jetë edhe më produktiv te Kosova.
Më 5 shtator mund të jetë debutimi i Muriqit në La Ligan spanjolle. Mallora e pret Cadizin. Është duel thuajse vendimtar në garën për ekzistencë. Mallorca është e 17-a aktualisht me 20 pikë. Cadizi i 18-ti me 18 pikë. Pozita e 18-të në fund të kampionatit dërgon në kategorinë e dytë. Deportivo Alavez, Levante, Getafe, Elsche e Granada vlerësohet konkurrentët direkt të Mallorcas. Skuadra e re e Muriqit ka qëndruar në La Liga prej vitit 1997 e deri në vitin 2013. Është kthyer vetëm në vitin 2019. Me Muriqin në përbërje shpresohet të nisë periudhë tjetër e stabilitetit.