Në një deklaratë për mediat, deputeti Myslym Murrizi rikujtoi edhe njëherë se nuk do të votojë reformën zgjedhore pa u pranuar më parë ndryshimi i sistemit me lista të hapura dhe heqja e pragut 5 përqind.
Ai thotë se deputetët e opozitës parlamentare si dhe deputetë të tjerë të pavarur nuk do të jenë thjeshtë fasadë në Parlament dhe se në ditët në vijim do të marrin një vendim konkret ku do të përmbledhin qëndrimin e tyre.
Deklarata e Murrizit:
28 deputetë të opozitës por dhe deputetë të tjerë jashtë opozitës parlamentare janë të vendosur për të mosqenë fasadë në parlament dhe për të mos votuar asnjë dakordësi të Këshillit Politik apo më saktë të treshes së famshme, Basha, Rama, Monika. Ne hap pas hapi do të koncetrojmë qëndrimin tonë dhe do të marrim vendim konkret nëse në mënyrë të njëanshme nga Taulant Balla, Edi Rama apo nga këta dy që nuk janë në parlament ju kapin veshin atyre që kanë pas vetes, do të tentojnë të fusin këtë dakordësi që nuk është reformë zgjedhore pa marrë në konsideratë kërkesat e opozitës parlamentare jemi të vendosur dhe të prerë që nuk do të votojmë dakordësinë e tyre pa u hapur listat për deputetë. Ta harrojnë Rama e Balla si dhe këta të dy që vijnë vërdallë për të kapur ndonjë deputet të vobektë në mënyrë që të plotësojë numrin se do kenë 84 numra në parlament për të lënë në fuqi gjellën e pistë të 21 prillit të 2008 gjoja të dakordësuar në një letër paçavure në 5 qershor të 2020.