Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, edhe pse e dëshiron postin e presidentit, thotë se për momentin kjo nuk është tema kryesore në negociatat midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish-kryeministri në një intervistë për Klan Kosova, tha se në këto negociata ai e ka rolin kyç, ani se pyetet edhe Vjosa Osmani.
“Është një nder i veçantë që dikush me mbyll karrierën e vet politike me një përgjegjësi ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, mirëpo nuk jam unë ai që mund ta bëjë veten president, e as që do ta imponoj veten si president të vendit”, ka thënë Mustafa.
Marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së nuk mund të arrihet nëse ka kushtëzime nga ana e VV-së.
“Ne do të ulemi me letër të bardhë përpara pa asnjë kusht, askush nuk mund të thotë që ‘eja të ulemi në tavolinë, por tri ministri i kam nda për veti derisa shtatë tjera nga dhjetë janë të hapura për negociata’”, është shprehur Mustafa.
E pse LDK doli e dyta në këto zgjedhje dhe jo e para, Mustafa tha se është lënë anash diaspora. “Arsyeja themelore pse kemi dalë në vend të dytë është se nuk e kemi pas diasporën”, ka shtuar Mustafa.