Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se edhe në Samitin e Berlinit, që nis nesër, Kosova duhet të dalë qartë kundër prekjes së kufijve.
“LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë”, ka shkruar Mustafa, në një reagim në Fb.
Sipas tij, procesi i Berlinit, i idejuar nga Kancelarja Merkel, ka shtytë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, po ashtu, ka krijuar rrethana të reja të komunikimit ndërmjet këtyre vendeve.
“Jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht. Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”, ka shtuar ai.
Në Samitin e Berlinit Kosova shkon me dy qëndrime: Një për ndryshimin e kufijve dhe bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën dhe tjetri për të mos ndryshuar kufijtë. Qëndrimin e parë e shtynë përpara Presidenti Hashim Thaçi kurse mosprekjen e kufijve e mbështetë Kryeministri Ramush Haradinaj.
Lideri i LDK’së ka thënë se nëse Kosova shkon në Berlin me një qëndrim do ta ketë më të lehtë punën përballë miqve ndërkombëtarë.
“Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe mendoj se pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më leht edhe në Berlin edhe në Washington, ua lehtëson punën edhe miqëve tanë”, ka thënë Isa Mustafa.