Kryetari u Lidhjes Demokratike të Kosovës, u është drejtuar përmes faqes së partisë në Facebook anëtarëve të Kryesisë, deputetëve dhe kryetarëve të degëve në prag të seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, e paraparë për nesër, duke u thënë se nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së, raporton KOHA.
“Të nderuar anëtarë të Kryesisë, deputetë dhe kryetarë të degëve, LDK ka proceduar me mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti. LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e koronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse. Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në. LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën. LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizohet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashkë. Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj. Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”, thuhet në letren e Mustafës, e postuar në faqen e LDK-së.
Gjatë ditës, shtetet e Quintit kërkuan që të mos votohet mocioni i mosbesimit. PO ashtu edhe shoqëria civile po kërkon të njëjtën gjë. E për mocionin, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, që vjen nga LDK-ja, ka thënë se do të votojë kundër. Po ashtu, ka ftuar edhe të tjerët që të votojnë kundër.