Kryetari në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa e rezultatin e zgjedhjeve të së dielës e ka quajtur populist dhe jo të mirë për Kosovën si vend demokratik.
“Për mua çdo rezultat që është populist në çdo vend, edhe përpara në regjimet e tjera edhe tani në demokracinë evropiane nuk është treguar në asnjë rast i mirë dhe i dobishëm për asnjë vend. Gjithsesi edhe për këtë rezultat mendoj sepse asnjëherë politikat populiste asnjë vendi demokratik nuk i kanë shërbyer. Kanë vendosur qytetarët, nuk e vëmë në pikëpyetje vendimin e tyre, por që besoj që i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat unë nuk besoj”, ka thënë ai.
Pas mbledhjes me kryetarët e degëve të partisë, Mustafa ka deklaruar se nuk është pishman për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi ka thënë se këtë e ka bërë për të ruajtur raportet me SHBA-në dhe të ardhmen e vendit, duke shtuar se Vjosa Osmani nuk e ka dëmtuar LDK-në në këto zgjedhje dhe se vota e tyre ka shkuar në Vetëvendosje.
“Dhe më tutje që besoj që kemi bërë ne gabim në LDK që kemi prishur koalicionin me Vetëvendosjen nuk besoj sepse kemi bërë shumë mirë, sepse kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me SHBA-në dhe për të ruajtur dinjitetin e partisë tonë, dhe tonën vetë. Në qoftëse e kemi paguar çmimin, e paguajmë çmimin por për mua është shumë më i lehtë të paguajmë një çmim me një votë dhe me disa vota sesa të paguajmë çmime me parterët tanë strategjikë dhe me ardhmërinë tonë”, ka shtuar tutje Mustafa.
Tutje, ai se Vjosa Osmani nuk ka ndikuar në humbjen e zgjedhjeve.
“Derisa kemi zhvilluar fushatë s’kemi pasur asnjë sinjal që ka ndikuar Vjosa Osmani në rënien e LDK-së, vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që kanë votuar para një viti e gjysmë kanë votuar Vetëvendosjen, a ja kanë qëlluar apo s’ja kanë qëlluar do ta shohim”, tha Mustafa.