Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij është e gatshme të udhëheqë me Qeverinë e ardhshme, porse nuk do të hapë çështjen e mandatarit para se ta marrë mandatin nga presidenti i vendit.
Mustafa në një intervistë për Rtv21, ka thënë se kryesorja në këtë moment është që Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka dhënë përlqimin që koalicioni me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe komunitet joshumicë të krijohet.
“Tani ne e kemi pëlqimin e Këshillit të Përgjithshëm që mund të bëjmë koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe komunitet joshumicë. Përderisa nuk vjen mandati nuk do ta hapim çështjen e emrit të kryeministrit. Atë procedurë do ta kryejmë shpejt, sepse kemi shumë kuadro të mira në LDK dhe është procesi më i lehtë i mundshëm”, ka thënë Mustafa.
Ai nuk ka dashur të thotë nëse Vjosa Osmani, e cila ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, do të jetë e propozuara.
“Zonja Osmani tani është kryetare e Kuvendit. Ajo ka dhënë deklaratat e saj edhe me rastin e mocionit të mosbesimit, edhe për koalicionin. Në momentin që hapim këtë çështje do të diskutojmë të gjitha opsionet e mundshme”, ka thënë ai.
VV-ja si fituese e zgjedhjeve është shprehur kundër një qeverie të re pa zgjedhje. Për këtë, edhe e ka paralajmëruar presidentin Hashim Thaçi të mos e tejkalojë atë.
Thaçi në dy raste i ka nisur letër VV-së për të propozuar emrin e mandatarit, por partia e Albin Kurtit i është përgjigjur se duhet të ketë zgjedhje, menjëherë pas pandemisë.