Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se kandidatje e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani ka shumë arsye për të qenë në pozitën për të cilën garon në zgjedhje. Sipas tij, Vjosa Osmani mund të jetë e re por ka përvojë shtetërore e parlamentare për t’u përballur me sfida të mëdha e serioze, ndërsa si nënë e si grua e ka guximin të përballet me të këqijat që i kanë ndodhur vendit.
“Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për tu përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze” ka shkruar Mustafa.
Ai gjithashtu ka treguar se edhe Lutfi Haziri është shembull i veprimtarit të LDK’së dhe një lider me të cilin krenohet partia, i cili i dha përkrahje të parezervë Osmanit.
“Vjosa nuk ishte e vetmja kandidate e LDK-së për këtë pozitë. Ishte, poashtu, z. Lutfi Haziri, tani Kryetar i Gjilanit. Më herët zëvendëskryeministër e deputet. Z. Haziri me shembullin e një veprimtari të devotshëm të LDK-së, një lideri me të cilin krenohemi jo vetëm ne në LDK, kësaj radhe i dha përkrahje të parezervë Vjosës” shkroi ai në Facebook.
Isa Mustafa sot pret që edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së ta përkrahë Osmanin/
“Përkrahjen e sigurt e pres sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. E nesër, nga qytetarët e Kosovës” tha ai.
Ai kandidaten për kryeministre e ka cilësuar si një nënë, grua dhe familje të përkushtuar e cila ka guxim dhe kurajo të përballet me të këqijat e vendit.
“Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajo të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare” shkroi ai.
Vjosa Osmani, ditën e djeshme u zgjodh kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.