Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar nënkryetaren e partisë së tij, Vjosa Osmani.
Mustafa ka vlerësuar se Osmani nuk e respekton LDK-në, teksa ka thënë se dëshiron që ajo të punojë pa “teke personale” si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
“Vjosa është kryetare e Kuvendit. Vazhdon ta kryejë punën. Dëshiroj që ajo punë të bëhet mirë, të mos ketë teke personale, hidhërime personale në kryerjen e atij funksioni”, ka deklaruar Mustafa në RTV21.
Mustafa ka folur edhe për qëndrimet e fundit të Osmanit, që kanë qenë të ndryshme nga ato të shumicës së partisë.
“Ajo është deklaruar sa i përket qëndrimeve të saj për mocionin e mosbesimit dhe formimin e qeverisë së re. Nuk hyj në qëndrimet e saj. Shumica dërmuese në LDK e ka përkrahur mocionin dhe formimin e qeverisë së re”, ka thënë ai.
“Nëse është lartë me vota të LDK-së, duhet ta respektojë LDK-në”, ka thënë Mustafa, për Osmanin.
“Vetë fakti që ka dalë kundër mocionit, dhe kundër formimit të qeverisë në krye me njeriun e LDK-së, është mosrespektuese ndaj organizatës së vet”, është shprehur ai.