Mustafaj: Basha po shpreson te proverbi “çudia më e madhe 3 ditë zgjat”

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Ish-deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, e ka cilësuar jo normale deklaratën e bërë nga një pjesë e deputetëve demokratë të cilët kanë kërkuar që ish-kryeministri Sali Berisha mos garojë për kreun e Partisë Demokratike.

Në një intervistë në studion e ABC, Mustafaj tha se është e pamundur që t’i kërkosh Berishës një gjë të tillë, kur është ky i fundit që ka vënë gjithë partinë në lëvizje.

“Ky është një kusht i pamundur për mua për të gjitha zhvillimit që lidhen deri tani. Është e pamundur sepse deri tani këtë lëvizje e ka bërë Sali Berisha. Askush nuk mund t’i thotë Berishës: “Mos garo”. Të gjitha ata që e mendojnë se Berisha nuk e meriton, atëherë këta duhet të bëjnë fushatë, për të bindur demokratët që mos e votojnë, por nuk mund t’i mohosh Berishës të garojë. Edhe vetë Berisha e ka thënë se Lulzim Basha mund të garojë në zgjedhjet për kryetar në 30 prill” – tha Mustafaj.

Mustafaj tha se zërat e deputetëve por dhe nervozizmi i tyre në dukje tregon se ata e kanë humbur besimin se Basha mund të japë dorëheqjen.

“Unë besoj se në një proces të tillë, ultimatumet nuk janë gjuha e përshtatshme për të arritur qëllimin. Fakti se zonja Duma apo deputetë të tjerë të PD-së i kanë dhënë ultimatum 1 javë zotit Basha tregon se këta e kanë humbur durimin, ose e kanë humbur dhe shpresën se Basha realisht do të marrë vendimin e dobishëm për PD që është dorëheqja e tij. Ajo që thotë zonja Duma nuk është e papritur, por mënyra si e thotë shpreh nervozizëm” – tha Mustafaj.

Atëherë çfarë po përpiqet të bëjë Lulzim Basha?

“Po përpiqet të fitojë kohë. Mund të mos ikë. Basha po udhëhiqet nga një proverb shqiptar se “çudia më e madhe 3 ditë zgjat”. Ai mendon se emocioni do kalojë, se deputetët do ta kuptojnë se janë më rehat me Bashën se me Berishën. Apo po aktivizon një korpus që nuk është i zgjedhur, që është mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve.

Ajo që është poshtëruese për PD por sidomos për Bashën është këmbëngulja për të mbajtur vulën dhe zyrën pa anëtarë. Ky është i gjithë paradoksi. Të gjitha fijet të çojnë tek vetë Basha, që e bën veten të paqenë para opinionit publik. Nëse Gjykata vendos në favor të grupit të Rithemelimit shkon në shkarkimin e Bashës” – tha Mustafaj.

Share This Article