Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi, ka thënë se është i gatshëm të largohet nga Arsenali, nëse nuk bën pjesë në planet e trajnerit Unai Emery.
Ai në një intervistë të dhënë për mediumet angleze të premten, ka thënë se është i gatshëm për ta bërë hapin e radhës në karrierë, qoftë gjatë afatit kalimtar të janarit apo verën e vitit të ardhshëm, transmeton Koha Ditore.
“Unë nuk dua të nis luftë me Arsenalin për largimin tim, pasi gjithmonë jam i gatshëm për ta bërë hapin e radhës në karrierë. Nëse më kërkohet një gjë e tillë, atëherë do ta bëj, nëse jo, do të vazhdoj të luaj. Babai im që është edhe agjent ka biseduar tashmë me klubin, kështu që tash për tash jam lojtar i Arsenalit, pasi kam edhe dy vite kontratë me klubin. Do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja”, është shprehur Mustafi.
27-vjeçari, është pjesë e Arsenalit prej vitit 2016 dhe ka kontratë deri në vitin 2021. Ai këtë edicion ka vetëm një paraqitje në të gjitha garat.
Karrierë ka bërë edhe te Valencia e Sampdoria. Ka edhe 20 ndeshje me Gjermaninëm, por më nuk po ftohet.