Mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi është operuar me sukses. Ai kishte pësuar një lëndim të muskulit të prapmë të kofshës, ndërsa pritet të mungojë për disa muaj.
Mustafi ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se i është nënshtruar operimit dhe se ai është kryer me sukses.
“Pas ndeshjes me Leicester Cityn unë kam thënë se nuk ka asgjë më të dhimbshme se mos të fitosh një ndeshje që e meriton të fitosh. Më është dashur të mësoj në rrugë të vështirë se ka gjëra edhe më të rënda. Do të mungojë në finale të FA Cup për herë të dytë. Lajm i mirë është se operimi kaloi me sukses dhe se nuk jam tip i lojtarit që dorëzohet lehtë. Pas dëshpërimit e kam pranuar situatën dhe tani jam plotësisht i fokusuar për rikuperim sa më të shpejtë që të jetë e mundur dhe për kthim në fushë”, ka shkruar Mustafi.
Ai është lënduar në kohën kur po kalonte formë të lartë te Arsenali. Mustafi u stabilizua në përbërjen bazë të Arsenalit dhe vlerësimet ishin në superlativ për të. Tani Arsenali do të shikojë për një mbrojtës për të mbuluar hapësirën e lënë nga ish-reprezentuesi i Gjermanisë.