Vila e lënë në harresë tani është gati të presë ndërhyrjet e shtetit për t’u kthyer në muzeun e Besës. Prej vitesh diskutohet për këtë muze të ri në kryeqytet por tanimë plani se sido të duket është gati. Pesë kompanitë me projektet më të mira që u zgjodhën nga konkurrimi I hapur në ministrinë e kuturës u prezantuan me detajet, por fitues u zgjodh projekti zviceran.
“Besa nuk është thjesht një kod, nuk është thjesht një fjalë e dhënë, por një mënyrë jetese, që ka ekzistuar dhe vazhdon ende të gjallojë edhe nën trysnitë e modernitetit. Besa ka udhëhequr shqiptarin në rrjedhën e shekujve dhe ka kulmuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët, pa dallim feje: myslimanë e të krishterë u hapën dyert hebrenjve në arrati, në kërkim të shpëtimit. Ndaj dhe ky është një muze që “shpirtërisht” është i lidhur me një tjetër, që ne po ngremë në Vlorë, Muzeun Hebraik Shqiptar, sepse pa konceptin e Besës nuk do të ekzistonte dhe ajo sakrificë sublime e shqiptarëve gjatë pushtimit nazist. Një muze, që përbën një sfidë si nga ana arkitekturore ashtu edhe në konceptimin muzeal, pasi nga njëra anë bëhet fjalë për një muze që do të ngrihet në një godinë-monument kulture dhe nga ana tjetër duhet të rrokë dimensionin shpirtëror të një kombi”, tha ministrja Margariti.
“Projekti fitues kap thelbin e Besës dhe e komunikon atë me guxim mbi dhe nën tokë. Pika më e fortë e tij është mënyra e fuqishme se si komunikon mesazhin dhe tregon historinë e Besës, i jep asaj një identitet dhe frymëzon vizitorët që të përqafojnë vlerat e saj. Ndërhyrja minimaliste arkitekturore nxjerr në pah vlerat e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë, e cila trajtohet me respekt dhe ndjeshmëri, ndërkohë që ofron një koncept të zhvilluar mirë për këtë projekt si muze dhe qendër kulturore. Funksionet kryesore – ekspozitat, aktivitetet, edukimi, reflektimi dhe çlodhja – qëndrojnë mirë me potencialin kulturor të vendit, një faktor i rëndësishëm në qëndrueshmërinë e tij”, u shpreh Ayşen Savaş Arkitekt, Prof. në Universitetin e Arkiteturës në Ankara.
Për shkak se ndërtesa është monument kulture i kategorisë së parë, ndërhyrja dhe ndërtimi i këtij muzeu kërkon jo një projekt që merr përsipër të respektojë shumë detaje që i kemi trashëguar nga e shkuara e që duhet të ruhen si shenja të identitetit.
Muzeu do të ngrihet në godinën që ndodhet në krah të kalasë së Tiranës, pranë Sarajeve të Toptanit si dëshmi e Besës së Shqiptarëve.