Muzeu hebraik – afirmim i rrëfimit shqiptar për hebrenjtë

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Është vetëm një nga shtëpitë tiranase që ka brenda vetes një histori fisnikërie. Në kohën kur qielli në Evropë po errësohej nga retë e luftës dhe të shfarosjes, mikpritja shqiptare do të hapte dyert për qindra familje hebraike. Një e tillë që bëri konak për të persekutuarit që ndiqeshin në çdo cep të Evropës së para shtatë dekadash ishte edhe ajo e familjes Hoxha në Tiranë. Por nxjerrja e saj në shitje nga pronari i saj, Rexhep Hoxha, ka ngritur shqetësimin për asgjësimin e një kujtese të veçantë historike.

Rexhep Hoxha kishte qenë fare i ri kur i ati i tij, Rifati, kishte strehuar për gjashtë muaj një familje hebraike nga Bullgaria.

Vitet do të rrokulliseshin njëri pas tjetrit dhe vendi do të izolohej gjithnjë e më rreptë nga regjimi i Enver Hoxhës.

Në kohën kur Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, i ati i “pëshpëriti” një të fshehtë në formë amaneti: në shtëpinë e tyre ndodheshin edhe tre libra të shenjtë lutjesh, që refugjatët hebrenj i kishin harruar.

Historia e kthimit të këtyre librave në Izrael, mu te pasardhësit e atyre refugjatëve që kishin gjetur strehë në bujarinë e familjes Hoxha, ishte bërë boshti i filmit dokumentar të vitit 2012 “Besa, The Promise”, nën regjinë e Rachel Goslins.

E Rexhep Hoxha, menjëherë pas nxjerrjes së shtëpisë në shitje, është kontaktuar nga rabini Yisroel Finman.

“Ai paraqiti interes që shtëpia të kthehej si pjesë e qendrës ‘Besa’”, ka treguar Hoxha për KOHËN. Pa e pasur ende një ide se si do të duket projekti i rabinit, ai menjëherë ka nisur përgatitjen e një dosjeje me informacione për shtëpinë që bëri histori në kohërat më të pazakonta.

Kurse vetë Finman është në hall me fatin e shtëpisë Hoxha, si një nga dy ndërtesat tiranase ende në këmbë, që ruan historinë e përgjigjes shqiptare ndaj Holokaustit. Megjithatë, kthimi i saj në muze dhe mjedis për qendrën “Besa & Shalom” nuk po shihet e përshtatshme për shkak të vendit të vogël.

Share This Article