Myrto Uzuni do të vijojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Austin FC arriti akordin me Granadën për blerjen e sulmuesit shqiptar. Ekipi amerikan do të paguajë 12 milionë dollarë, shifër e përcaktuar nga spanjollët për prishjen e kontratës së kuqeziut.
Sipas mediave spanjolle, marrëveshja ndërmjet dy klubeve është arritur dhe pritet vetëm formalizimi. Kjo do të realizohet pas plotësimit të detajeve të transferimit, kalimit të dokumentacionit dhe vizitave mjekësore të 29-vjeçarit,.
Edicionin e kaluar në elitën e futbollit spanjoll, Uzuni realizoi paraqitje fantastike në aspektin individual, me 11 gola dhe një asist në 2461 minuta të luajtura. Gjithsesi, ekipi ra në Ligën e dytë, aty ku gjatë këtij sezoni sulmuesi ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë një asist në 18 ndeshje. Gjatë sezoneve të fundit, ai ka kryesuar listën e golashënuesve si në La Liga, ashtu edhe në Ligën 2.
Futbollisti që numëron edhe 38 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, do të bëhet blerja më e shtrenjtë në histori për Austin. Kjo do të jetë hera e tretë me radhë që skuadra e Konferencën Perëndimore në futbollin amerikan do të thyejë rekordin historik të transferimeve.
I lindur në Berat, Myrto Uzuni ka luajtur për Tomorin, Apoloninë, Laçin, Lokomotivën e Zagrebit dhe hungarezët e Ferencvaros, përpara transferimit te Granada në verën e vitit 2022. Ai largohet nga klubi spanjolli lojtari i huaj që ka shënuar më tepër gola në histori.