Mijëra myslimanë në Pakistan kanë mbushur rrugët në protestën anti-franceze, të premten, derisa presidenti i Francës është deklaruar pro mbrojtjes së të drejtës për karikatura të Profetit Muhamed .
Rreth 2,000 besimtarë kanë festuar ditëlindjen e Profetit Muhamed nëpër rrugët e qytetit Lahore, transmeton KOHA. Turmat e kryesuara nga parti islamike kanë mbajtur slogane kundër Francës. Dhjetëra njerëz kanë shkelur dhe përdhosur flamujt francezë dhe kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve të Francës. Në qytetin Multan të Pakistanit qindra njerëz kanë djegur fotografi të presidentit Emmanuel Macron, raporton AP.
Më shumë tubime ishin paralajmëruar për të premten në Pakistan, përfshirë edhe në kryeqytet, ku policia doli jashtë për të parandaluar demonstratat e mundshme jashtë ambasadës së Francës. Atmosfera ishte e tensionuar teksa policia ka pozicionuar kontejnerë për të bllokuar rrugët.
Në Jerusalem, qindra palestinezë kanë protestuar kundër Macronit jashtë Xhamisë Al-Aqsa, duke thirrur “me shpirtin dhe gjakun tonë sakrifikojmë për profetin tonë, Muhamedin”.
Të tjera protesta, të organizuara nga islamikë, pritet të mbahen përreth rajonit.
Në Afganistan, pjesëtarë të partisë islamike Hezb-i-Islami i ka vënë flakën flamurit francez. Lideri i saj, Gulbuddin Hekmatyar ka paralajëmruar Macronin se nëse nuk e vë nën kontroll situatën, “do të shkojmë drejt luftës së tretë botërore dhe Evropa do të jetë përgjegjëse për të”.
Protestat vijnë pas tensioneve të shtuara mes Francës dhe kombeve me shumicë myslimane, e cila u nxit në fillim të muajit me vrasjen e mësuesit në Paris pasi kishte shfaqur karikatura të Profetit.
Të enjten, një sulm tjetër ka ndodhur në Nicë të Francës, të cilin autoritetet ia atribuan ekstremistëve islamik. Një burrë ka vrarë tre persona brenda një kishe në Nicë, derisa është dëgjuar të thërriste “Allahu Akbar”.